AGRON GJEKMARKAJ/ Sandrushi e ujiste me zorrën e hollë, Kumbaro i lëmonte...

AGRON GJEKMARKAJ/ Sandrushi e ujiste me zorrën e hollë, Kumbaro i lëmonte kërcëllin

151
0
Shares
Agron Gjekmarkaj

Të shumta qenë ha mendësimet, dilemat po kaq. E madhe qe brenga, nostalgjia po kaq. I dendur qe pezmi dje, gëzimi po kaq sot. A ju kujtohet Turi dhe barka e tij e paepur, që zhyti njerëzinë në enigma e mistere për të gjetur nga u nis e ku po shkonte, si qe moti, me diell apo suferinë? Ku u ndal, ku pushoi, ku u strehua në shtrëngatë? U rrek disa javë filozofi Artan Fuga si Kolodi me Pinokun t’u jepte dum bëmave të Turit derisa u lodh pa ia gjetur fillin…

Pas zhurmnajës e shpotive, alegorisë e simbolikave, detraktues të Turit, por edhe dashësit e tij, ranë dakord që në slengun e “Rilindjes” Turi ishte nofka e sintetizuar e Kryeministrit Edi Rama, barka, udhëtimi prej Uliksi vetë parabola e tij. Na u desh të prisnim me ankth e kureshti për të ditur se nga u nis barka dhe ku mbërriti, e mbi të gjitha çfarë fshihej nën mushamanë e saj. Nuk paska fshehtësi të përjetshme! Mbi çdo gjë dritë e diellit bie. Barka qenka nisur nga urë e Lanës kohë më parë për të ecur nëpër Danub dhe mbërritur në Austri.

A ju kujtohen kohët kur një kërpudhë na pat gëzuar në oborrin e Kryeministrisë? Ah, ç’paqe e begati solli në xhanët tanë të tharë e bërë shkrumb nga mungesë e artit të madh! Lezeti na ndrinte në fytyrë kur i kalonim ndanë. Të mbushej me fllad bukurie kraharori dhe shpirti bëhej më fisnik kur shihje sesi e ujiste Sandrushi me zorrë të hollë, si hidhte gaz mbi insektet që glasonin mbi të, si ia lëmonte kërcellin Kumbaro, si e fshinte Elisa dhe pluhurin e saj e fuste në kuti si Neroni lotët, si lëçiste nën hije të saj vogëlushi Gent “Zogun dhe djalin”, si Ekonomi e shpallte pas Edi Ramës markën numër dy të këtij atdheu, që më në fund gjet rehati e shëlbim. Herë pas here, Auron Tare lidhte mushkën kur kthehej nga gërxhet e këpuste një sy gjumë shelegu nën atë mollaqe.

Po ashtu Tërmeti sillte veteranet nga Tepelena të cilëve Kërpudha e Komandantit ju dukej ku e ku me namuzqare se monumenti i Ali Pashes ne hyrje tē qytetit të cilit nuk ja duronin dot atë shtriqje prej feudali me nargjile ne duar !!

Besa ëndërronte me qortim sesi në Prishtinë nuk është një e tillë. Gjithë ky ritual te kërthiza e “Rilindjes” kryhej nën vështrimin e liderit, që nga dritarja këqyrte e shënonte nde defterë me nota vlerësimi shkallën e përdëllimit dhe zalisjes përballë kësaj kërpudhe të sjellë nga nemçja!

Por, siç ndodh rëndom kësaj toke, keqkuptimet nuk kursejnë askënd. Vend i një mijë bukurive, pat thënë Konica, me një popull që urren të bukurën dhe, mendoni, ai s’e kishte parë Kërpudhën! Qenë kohë të errëta. Ditë të liga. Kryeministri kaloi gati në ilegalitet, strehohej në trekëndëshin e ish-zonës së parë operative, ku limontinë e ditëve të arratisë e shtynte me pak qëndisma e përkthime të teksteve të Ornelës. Bulevardi mbushej plot, tym e flakë ngado. Ai vetëm një merak kishte: fatin e kërpudhës. Ndonëse Sandri kishte premtuar se jetën e linte, por kërpudhën jo. Mbrojtja e saj ishte një nga tri betejat e jetës së tij si gjeneral pas asaj kundër vëllezërve Budina dhe Alfred Lelës. Një ditë ajo ra. U bë copë e çikë. Nuk mungoi trimëria, por fati.

Thërrimet i mblodhi Auroni natën dhe i futi në qivur. Askush nuk kishte zemër të shpinte lajmin. Meit u bënë nga goja dhe trupi. Në indet e “Rilindjes” kishte rënë paralizë. Faqet çirreshin, leshrat shkuleshin, lotët rrëshqisnin si smeralde mërzie. Atë natë, ai nuk fjeti, diçka i sëmbonte në stomak. Një si hije i shfaqej në dhomë. Sa zbardhi drita, hyri në Tiranë i maskuar pasi kryengritësit ishin shpërndarë. Nuk po kuptonte më asgjë, ministrat e tij qanin i madh e vogël, mjekra u dridhej, piskamat të këpusnin shpirtin, shalangoseshin mbi njëri-tjetrin si të pajetë.

E kuptoi. Doli në dritare, por kërpudha nuk ishte më. Një heshtje varri mbuloi sallën e hartave. Vaki e tillë nuk ishte përjetuar. Por Komandanti i Legjionit të Nderit, pikërisht meqenëse është i tillë, nuk e lëshoi veten, paçka se u thinj sa për një shekull. “Mos u ligështoni, o dishepuj,-u tha. Do vijë dita do bëjmë më të madhe, madje 25 % më të lartë, një kërpudhë bie, mijëra ngrihen. Do ta mbush vendin me kërpudha, dhe ky është premtim. Do ta bëj mbretëri kërpudhash”. Ashtu paskësh qenë dhe sapo u qetua stina e moti, ai hipi në barkë, mori lundërtarët e tij të besuar dhe i solli shoqërisë e vendit kërpudhën që meritonin. Ajo tani përsëri po bëhet vend pelegrinazhi. Qëndrimi ndaj saj përcakton renditjen në listat e ardhshme, gëzimi për të të bën ministër, konsiderata publike të jep tender.

Duket se deri në vjeshtë asgjë nuk e rrezikon, se opozita i ka me bezdi protestat në zheg, i shijojnë më shumë për fresk. Po kjo është kohë e mjaftueshme për të shpërndarë lajmin që pas tërmetit, pas pandemisë dhe ndryshimeve kushtetuese, që Kryeministrin e bëjnë Kalif, mbërrika pikërisht ajo e bukura e dheut, puna dhe kryevepra e vetme e Edi Ramës, kërpudha e tij për shqiptarët. Ejvallah e ta rrittë Zoti ymrin, o Kryeministri ynë, se boll na gëzove! Aferim e meritonim dhe na e solle!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY