Industria e filmit, Tirana-nje shesh xhirimi per Hollywood

Industria e filmit, Tirana-nje shesh xhirimi per Hollywood

147
0
Shares

Industria e filmit shqiptar po nis të lulëzojë dhe të konsiderohet plotësisht e tillë, në kushtet e formësimit të tregut, rritjes së prodhimit dhe skemave të ndryshme të financimit. Aktorët kryesorë tregojnë se projekti më i afërt është ai i “tax shelter”, për të nxitur xhirimet e filmave më të mëdhenj botërore në vendin tonë, lëvizje e cila do të sillte përfitime në fushën ekonomike, turistike dhe sociale…

Të pasionuarve pas serialit të njohur “Games Of Thrones” nuk iu desh shumë për të zbuluar se bukuritë natyrore ku zhvillohen ngjarjet i përkasin Kroacisë. Në ato momente vërshuan turistët dhe nga ana tjetër, Kroacia u shndërrua në një pikë tërheqëse edhe për kineastë të tjerë, të cilët do të preferonin të shpenzonin aty buxhetin e planifikuar për filmin e tyre të radhës. Shqipëria nuk ka traditë në këtë skemë. Faji, sipas njohësve të fushës, gjendet te taksa aktuale që rëndon mbi prodhuesit e huaj.

Ilir Butka, kreu i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, tregon për “Monitor” se, fillimisht u punua për rishikimin e ligjit, i cili nuk linte hapësirë juridike për financimin e produkteve me regjisor të huaj. Lindi kështu skema e “minority co-production”, që të nxiste bashkëpunime me shqiptarët e të huajt, falë edhe disponibilitetit të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës.

“Me ndryshimet e bëra në ligj, kjo skemë na afron me vendet europiane, sikurse e kishin implementuar edhe vendet e tjera të Ballkanit. Kjo ofron mundësi të mëdha për të qenë pjesë e projekteve të suksesshme botërore. Sa u përket vend-xhirimeve, ne po punojmë për implementimin e skemës së ‘tax credit’. Kur vijnë grupe të huaja për të xhiruar në vendin tonë, falë vendndodhjes së favorshme gjeografike, bukurive natyrore, kulturore etj., ata bëjnë shpenzimet e tyre, nuk marrin asnjë financim nga Shqipëria, por hezitojnë të vijnë për shkak të taksave. Të gjitha vendet e rajonit ndjekin një tjetër skemë, për të cilën edhe ne jemi në bisedime me Ministrinë e Financave për ta zbatuar”, – tregoi z. Butka.

Si funksionon kjo skemë: Krijohet një “tax credit” ose “shelter”, të cilat rëndojnë 20 ose 30%, në varësi të shteteve. Më pas, verifikohet buxheti i shpenzuar për filmin, pasi të xhirohet dhe rikthehet taksa e paguar në momentin fillestar (pra 20 – 30% e buxhetit). “Ne synojmë që ta kthejmë mbrapsht këtë taksë që e kemi 30%, pra rikthim mbrapsht nga një taksë e paguar nga vetë ata, shteti shqiptar nuk paguan asgjë, veçse fiton. Nga pikëpamja ekonomike, këto projekte janë investime të mirëfillta financiare prej miliona eurosh (në total), të cilat investohen në Shqipëri. http://www.monitor.al/tani-mund-te-flasim-per-nje-industri-te-mirefillte-filmi-shqiptar-2/

Përfshirja e QKK në këto bashkëprodhime është vendimtare për thithjen e tyre, duke iu përgjigjur edhe politikave të qeverisë, për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë. Nga pikëpamja sociale përfitohet punësim, pasi në këto projekte janë përfshirë produksione shqiptare, gjithashtu, aktorët e stafit që kontribuojnë në film, në pjesën më të madhe, janë shqiptarë. Nuk mund të lëmë pa përmendur përfitimin e madh nga pikëpamja e promovimit të Shqipërisë, në fushën e artit, kulturës dhe turizmit”, – përfundon z. Butka.

Kjo nismë do ta vendoste Shqipërinë në hartën e vendeve që ndjekin politikën e ekonomisë kreative. Nga të gjithë llojet e investimeve që mund të realizohen në një vend, ky do të ishte ndër më interesantët, pohon kreu i QKK, sepse zhvillohet në një kohë të shkurtër, kohëzgjatja mund të jetë rreth 25 ditë, ndërkohë koha e shfaqjes në rastin konkret të filmit, është e gjatë, ka më shumë avantazhe se sa një spot televiziv.

Nga ana tjetër, edhe kineasti Robert Budina tregon se zbritja e taksave për filma të huaj që vijnë të xhirohen në Shqipëri do të rriste punësimin në fushën e kinematografisë, do ta bënte Shqipërinë më të njohur për të huajt, do të nxiste turizmin. “Në projektet tona të mëparshme, kjo gjë ka ndodhur dhe rezultatet janë shumë konkrete, kemi punësuar profesionistë të fushës në projekte që shteti shqiptar nuk është investuar, si rasti i filmit ‘Burrnesha’, i cili ishte pjesëmarrës dy vjet më parë në Festivalin e Berlinit. Gjatë xhirimeve të filmit tim të fundit në Valbonë, më ka rastisur të takoj dy turistë gjermanë që kishin ardhur në Shqipëri, pasi kishin parë këtë film dhe ishin kureshtarë të njihnin nga afër traditat dhe gjeografinë shqiptare. Sado që kjo rastësi nuk mund të përbëjë një statistikë, nëse bashkëprodhimet e filmave do të ishin më të shpeshta, raste të tilla me siguri do të shtoheshin”, – thotë z. Budina.

Treg i përbashkët rajonal
Andamion Murataj, drejtori i “Balkan Film Market”, tregon se nisma erdhi si nevojë ndër vite e vendosjes së urës së komunikimit dhe bashkëpunimit mes vendeve ballkanike dhe atyre europiane si Italia. “Në 4 vitet e fundit, QKK ka realizuar një nismë të mirë, mundësimi i autorëve shqiptarë të ndjekin tregjet botërore si Kana, Berlini etj.

Kjo i ka dhënë vizibilitet për të kuptuar se çfarë ndodh përreth nesh. Duke aksesuar këto tregje, ti ballafaqohesh me qendrat analoge në vendet e tjera, ndaj arritëm në konkluzionin që suksese ka kudo në Ballkan, por janë sporadike.

Tani ishte momenti më i përshtatshëm për ne, që të gjitha këto suksese të kanalizohen dhe menduam se gjëja më e mirë është që ta shndërrojmë Shqipërinë, për hir edhe të pozitës së saj të favorshme sociale dhe gjeografike, në një pikë takimi të kulturës së filmit perëndimor, me atë ballkanas. ‘Balkan Film Market’ mbledh bashkë kontributin e të gjithë qendrave kinematografike të Ballkanit, nismë që u përshkallëzua nga disa të tilla të mëparshme, si ‘Albascript’, Festivali i Venecias ku u diskutua Ballkani”, – thotë z. Murataj. Ai shton se tregje të tilla ka kudo, mirëpo lidhen të gjitha me një festival.

“Ajo çfarë ne planifikuam ishte që ta bënim të shkëputur nga një festival dhe Market-i të ishte primar. Nga ana tjetër, ne reflektuam se Italia do të ishte partneri kryesor, për shkak të historisë dhe ngjashmërive, por ishte një sipërmarrje e vështirë që, nga njëra anë të kishim Italinë, ndërsa nga ana tjetër me vendet ballkanike. Suksesi i kësaj ndërthurje, ku ne bëhemi këmba qendrore e një ure, ishte ajo që do të dëshmonte nëse do t’ia arrinim ose jo. Fakti që pati interes, i tejkaloi pritshmëritë”,- thotë ai.

Vlera e mirëfilltë e marketit, sipas tij, është, jo vetëm të konkurrosh për financim, por edhe lidhja me një producent, gjë që shumëfishon mundësitë për fonde. Përzgjedhja në këtë market u bë sipas kriterit të suksesit në 5 vitet e fundit të tyre, në fushën ku operojnë. “Nuk patëm sasi të madhe, por cilësi. Menjëherë pas marketit, na erdhën ftesa për të qenë të pranishëm në shumë organizime të ngjashme”, thotë z. Murataj.

Vështirësitë e sektorit
Vështirësitë më të mëdha janë buxhetet e ulëta krahasuar me vendet e rajonit. Kështu pohon regjisori Robert Budina. “Për këtë arsye, ne kemi shumë pak teknikë profesionistë që punojnë në fushën e kinemasë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Për rrjedhojë na bën më pak tërheqës për projektet e huaja të aplikuara në Shqipëri siç mund të ndodhë me vendet e tjera, Maqedoni, Serbi, Kroaci, për të mos shkuar më tej në Bullgari e Rumani ku të ardhurat që vijnë si rezultat i xhirimit të filmave të huaj me buxhete të mëdha, rrisin ndjeshëm punësimin dhe industrinë e kinemasë në këto vende.

Për shembull, në Rumani, ku aktualisht po përfundoj post-produksionin e filmit tim të ardhshëm, xhiro vjetore e industrisë audio-vizive është rreth 100 milionë euro. Një shtëpi prodhimi shqiptare e ka të pamundur të mbijetojë gjatë gjithë vitit vetëm duke u marrë me kinema. Kjo sigurisht, për rrjedhojë ul edhe cilësinë dhe aftësinë e shtëpisë së prodhimit për të qenë një partnere e denjë për bashkëprodhime ndërkombëtare, ku siç përmenda më sipër duhet një punë me cilësi të lartë për të siguruar financime ndërkombëtare”, – tregon për “Monitor”, z. Budina.

Në anën tjetër të medaljes, argumenton ai, shtimi i buxhetit për kinema do të rriste në mënyrë automatike cilësinë e projekteve, do të punësonte më shumë profesionistë të fushës në këtë sektor, gjë që do të zgjeronte bashkëprodhimet me vendet e tjera. Ky hap do ta çonte filmin shqiptar në një stad më të lartë, do ta bënte atë më të pranishëm në festivale ndërkombëtare dhe pa diskutim që shumë shpejt do të vinin edhe sukseset, në festivalet më prestigjioze botërore si Kanë, Berlin, Venecia, Toronto etj. Shpesh rritja e buxheteve për kinematografinë për njerëzit që janë jashtë kësaj fushe perceptohet thjesht si disa financime për filma që nuk shkojnë asgjëkundi dhe nuk i sheh njeri.

Ndërkohë që është e vërtetuar tashmë që një film me standarde europiane duhet të gjejë patjetër bashkëprodhim me vende të tjera për t’u përfunduar, siç po ndodh aktualisht me filmin shqiptar. Një lek i investuar nga shteti shqiptar kthen mbrapsht gjashtë lekë të tjera që duhen për të përfunduar atë film, të cilat investohen nga bashkëprodhuesit europianë. Asnjë fushë tjetër prodhuese në Shqipëri nuk i sjell mbrapsht të ardhura të tilla shtetit shqiptar dhe për më tepër shpërndan kulturën shqiptare në të gjithë botën”, – pohon regjisori.
Nga ana tjetër, prodhuesit dhe kineastët shqiptarë kanë përgjegjësinë që të rrisin nivelin e projekteve të tyre, për të arritur jo vetëm suksese artistike, por edhe financiare, tregon Budina.

Teknologjia dixhitale ka ulur kostot
Futja e teknologjisë dixhitale në lojë, e cila ka ulur kostot e prodhimit të filmave. Me teknologjinë e vjetër pelikulë, kostoja rritej artificialisht, që përfshinte koston e stokut të filmit, të kamerës, ndriçimit, laboratorit, stampimit së të gjithë procesit të prodhimit të filmit. Falë teknologjisë dixhitale, kostoja e realizimit të filmit vjen duke rënë ndjeshëm.

Skemat e financimit të filmave
QKK ka financuar thuajse gjysmën e projekteve që kanë ardhur, tregon kreu i Qendrës, Ilir Butka. “Kemi 35-40 filma në vit të financuar, një pjesë e tyre të shkurtër, dokumentarë dhe animacion, por për t’u përmendur është që kemi financuar rreth 12 filma të gjatë në vit”,- pohon ai.
Z. Butka shton se janë rritur ndjeshëm skemat e financimit, sidomos te filmi i pavarur, i cili realizohet me kosto shumë të ulët. “Ekziston një frymë sot në Shqipëri, te kineastët e rinj, për realizimin e filmave të tillë, me vetëfinancim duke qenë se zotërojnë mjetet kryesore të punës: kamera, montazhi, e kanë të mbyllur si cikël. Ne jemi përpjekur ta mbështesim këtë trend, duke e financuar me një shifër shumë modeste, e cila u jep mundësinë atyre ta përfundojnë projektin”, – tregon z. Butka.

Nga ana tjetër, ai pohon se është rritur ndjeshëm mundësia e aplikimit nëpër fonde të ndryshme rajonale dhe europiane. “Shqipëria prej tre vitesh bën pjesë në ‘Creative Europe Programme’, me ‘Media Desk’, që jep mundësi të mëdha për aplikim, duke nisur nga faza e zhvillimit e projektit deri te shpërndarja. Trendi në rritje i përfitimit të këtyre fondeve lidhet me rritjen e aftësisë sonë për të aplikuar, sepse në këtë fazë ka vështirësi për shkak të mungesës së përvojës. ‘Media Desk’ në Shqipëri e ka lehtësuar këtë proces, me promovim dhe shpjegim. ‘Euroimage’ është një tjetër mundësi, financon vetëm bashkëprodhime. ‘Euroimage’, nga ana tjetër, veç fondeve, funksionon si një filtër që jep vlerësim kualitativ për filmin, na mundëson që të prezantohemi në kinematografinë botërore, nëpërmjet bashkëprodhimit”, -përfundon kreu i QKK-së.

Ja pse Europa Lindore është tërheqëse për xhirimin e filmave
Stimuj për ulje taksash, vendndodhje gjeografike të gjithanshme dhe ekipe me përvojë – kurrë nuk ka pasur një kohë më të mirë për të xhiruar filma në Europën Lindore. Përvoja dhe lehtësitë për taksa i bëjnë këto shtete shumë tërheqëse për industrinë e filmit botëror

Republika Çeke
Ka një sistem arkëtimi parash prej 20% në dispozicion për kualifikimin e shpenzimeve të Çekisë dhe 10% për shpenzimet ndërkombëtare që vlejnë për film dhe TV, duke përfshirë të gjitha punët post-produktive. Prodhimet duhet të plotësojnë shpenzimet minimale dhe testet kulturore. Stimujt për lehtësim taksash po aplikohen prej pesë vitesh dhe këtë vit janë në dispozicion 32 milionë dollarë. “Ne kemi llojin e ekspertizës që kërkojnë prodhuesit e huaj”, thotë Ludmila Claussova, komisionere e filmit e Republikës Çeke. “Ju mund të gjeni gjithçka këtu – ekipe, ndërtues dhe dizajnerë, ekipe që flasin anglisht, studio të mëdha dhe vende. Ne ofrojmë vlera për para – kursi i këmbimit është pozitiv për prodhimet e dollarit – dhe ne jemi ende më të lirë se Berlin, Londër dhe vende të tjera europiane”.

Estoni
I quajtur “Filmi Estonez”, sistemi i ri i arkëtimeve të parave, i prezantuar në vitin 2016, është projektuar “për të inkurajuar bashkëpunim më të mirë midis prodhuesve të filmave vendas dhe të huaj për të xhiruar në Estoni”. Zbritjet me vlerë deri në 30% të kostove të prodhimit në vend, si dhe stimuj të tjerë, janë ndër tiparet më bujare dhe mbuluese të Europës për filma televizivë, dokumentarë dhe animacione.

Hungaria
Hungaria është një lojtar me përvojë në lojën e incentivave të filmit të Europës. Një nga vendet e para të Bllokut Lindor (në vitin 2004) që filloi zbatimin e stimujve bujarë të taksave, ka rritur në mënyrë progresive shumën e disponueshme deri në 30%. Zyrtarisht i njohur nga Observatori Audiovizual Europian për të nxitur stimujt e saj për prodhimin e filmit – ndërmjet 2010 dhe 2013, shpenzimet e filmave në Hungari përbënin mesatarisht 0.15% të PBB-së, dyfishi i asaj të Britanisë së Madhe dhe Francës. Një angazhim i ri ligjor nga qeveria për të mbajtur një llogari depozitimi prej 14 miliardë dollarësh, për të siguruar që ka para të mjaftueshëm për t’u paguar produksioneve si zbritje taksash kur xhirohen filmat në Hungari, është hapi më i fundit për të qenë tërheqës për prodhimet ndërkombëtare.

Lituania
Sipas një plani të prezantuar në janar të vitit 2014, prodhimet që shpenzojnë deri në një të pestën e buxhetit të tyre në Lituani mund të kenë një zbritje prej 20% të taksave nëpërmjet një partneri lokal të prodhimit, i cili mund të përdorë zbritjen për të zvogëluar detyrimin lokal të tatimit mbi të ardhurat. Nxitja është në dispozicion për të shfaqur filma, telefilma, dokumentarë dhe filma të animuar. Filmat e brendshëm, filmat e bashkëprodhuar ose të porositur mund të përfitojnë nga nxitja, e cila menaxhohet nga Qendra e Filmit në Lituani. Ruokyte-Jonsson thotë se në mjedisin e tanishëm europian, duhet të merren masa më të forta për të qenë tërheqës.

“Është një garë shumë e vështirë për të tërhequr prodhimet e huaja kur është fjala për stimujt e taksave”, thotë ajo. “Njëzet për qind sot ndoshta nuk është një përfitim shumë i lartë, por duke e kombinuar këtë me një ekuipazh shumëgjuhësor vendas dhe profesional, e bën të gjithë paketën atraktive dhe të vlefshme.

Polonia
Sistemi i mbështetjes së filmit ndryshon nga pjesa tjetër e rajonit. Instituti i Filmit Polak përdor një sistem të granteve rrotulluese ciklike, në vend të stimujve tatimorë. Kryesisht i dizajnuar për të mbështetur prodhimet vendase, në një nga të paktat tregje të Europës Lindore me nivel ekspozimi të mjaftueshëm për të ofruar potencial tregtar për prodhuesit vendor, gjithashtu është në dispozicion për bashkëprodhime. Polonia subvencionon deri në 40 filma në vit, si dhe 160 projekte dokumentare dhe të animuara.

Industria botërore e prodhimit të filmave
Industria globale e filmit tregon parashikime të shëndetshme për vitet e ardhshme, pasi të ardhurat e zyrave botërore të biletave parashikohet të rriten nga rreth 38 miliardë dollarë në vitin 2016 në gati 50 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2020. SHBA është tregu i tretë më i madh i filmave në botë në lidhje me biletat e shitura në vit, pas Kinës dhe Indisë. Vetëm në vitin 2016, në SHBA u shitën 1,2 miliardë bileta filmash. Ka rreth 5,800 kinema në SHBA që nga viti 2016. Sipas një studimi të kohëve të fundit, 14% e amerikanëve shkojnë në kinema rreth një herë në muaj, ndërsa 31% shkojnë disa herë në vit. Kjo është një pjesë e konsiderueshme duke marrë parasysh se 52% e të rriturve amerikanë preferojnë të shikojnë filma në shtëpi. /Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY