INTERVISTA/ Bugajski: Në Shqipëri trashëgimia e komunizmit vazhdon në forma të ndryshme

INTERVISTA/ Bugajski: Në Shqipëri trashëgimia e komunizmit vazhdon në forma të ndryshme

267
0
Shares

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, thotë se në Shqipëri nuk ka pasur një mbështetje të mjaftueshme në favor të njerëzve që e kundërshtuan komunizmin dhe vuajtën nëpër burgje. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, zoti Bugajski thotë se trashëgimia e komunizmit vazhdon edhe sot në forma të ndryshme.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada e gjysmë nga rënia e komunizmit në Evropën Lindore dhe duket qartë se trashëgimia komuniste në këto vende vazhdon të ekzistojë në një formë a në një tjetër. Si do ta krahasonit Shqipërinë me vende të tjera të Evropës Lindore në këtë aspekt?
Kjo trashëgimi vazhdon në të gjitha vendet, por në shumë aspekte ajo është më e thellë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Evropës Juglindore. Ndoshta këtu ka të bëjë edhe e kaluara para komuniste e Shqipërisë me qeverisjet autoritare, plus që ka qenë një vend shumë i varfër. Kur Shqipëria u vu nën kontroll nga komunistët, ajo filloi nga një nivel shumë i ulët ekonomik. Për sa i përket trashëgimisë komuniste, kjo shfaqet mes të tjerash tek gjëra të tilla si varësia nga shteti për punë dhe ndihmë, tek një farë tolerance ndaj shtypjes shtetërore, tek vazhdimi i lidhjeve dhe interesave speciale që vazhdojnë qysh nga koha e komunizmit dhe tek përfshirja e pamjaftueshme e publikut në aktivitetet shoqërore, pra publiku ende nuk e sheh veten si subjekt por si objekt politik dhe kjo duhet ndryshuar.

Në Shqipëri ka njerëz që thonë se diktatura ishte një e keqe më e vogël sesa korrupsioni i sotëm. A shihni një lidhje mes të dyjave?
Çështja është se ata që thonë kështu nuk e kanë jetuar diktaturën. Sa shqiptarë vuajtën, sa u vranë, sa u burgosën ose u internuan? Ky ishte ndoshta njëri ndër regjimet komunistë më shtypës në qendër të Europës dhe as që mund të bëhet një krahasim me të sotmen. Cilëtdo qofshin politikanët e korruptuar sot, ata nuk mund të arrestojnë njerëz sipas dëshirës. Në një farë mënyre do të thosha se kemi të bëjmë me një frikë nga liria e aktivitetit të sotëm ekonomik.

Anketat tregojnë se shumë njerëz në Shqipëri besojnë se jeta ishte më e mirë nën komunizëm, se kishte më shumë siguri, punë, shërbim shëndetësor e të tjera. Cili është komenti juaj?
Kjo është një nostalgji si të thuash kronike, kur njerëzve u duket sikur gjërat kanë qenë më mirë. Ndoshta atyre u kujtohet ndonjë gjë që për ta ka qenë e mirë, për shembull fakti që nuk kishin nevojë të punonin shumë apo të kërkonin punë, sepse u garantohej një farë minimumi jetese. Por, nga ana tjetër, njerëzve u duhej të sakrifikonin për këtë. Ata harrojnë për shembull se në atë kohë nuk mund të udhëtonin apo të lëviznin lirisht, nuk mund të flisnin lirisht dhe nuk mund të organizoheshin apo të krijonin parti politike. Pra, është e pakrahasueshme gjendja në kohën e komunizmit me të tashmen.

Megjithëse në Shqipëri ish-të përndjekurit politikë vazhdojnë të kompensohen me para, a mendoni se ekziston nevoja për një rehabilitim moral të tyre? Sepse ish përndjekësit e tyre ende shëtisin të lirë në rrugët e Tiranës.
Absolutisht po. Sidomos siç edhe ju thatë, ish shtypësit e tyre shëtisin të lirë, ndërsa këta njerëz vazhdojnë të përjetojnë pasojat e traumave që pësuan nëpër burgje. Mendoj se ata kanë nevojë për më shumë njohje të këtyre vuajtjeve, jo vetëm financiare por edhe politike. Duhet të jepet më shumë informacion rreth asaj që hoqën këta njerëz, se si vuajtën ata për Shqipërinë.

Shumë nga ish anëtarët e nomenklaturës komuniste në Shqipëri vazhdojnë të publikojnë kujtimet e tyre, disa prej të cilave shtypen gjerësisht nëpër gazeta. A e shihni një dukuri të tillë në vendet e tjera të Evropës Lindore?
Jo në atë shkallë, por e kam parë në disa vende të Evropës Lindore dhe jugore. Kjo shihet sigurisht në disa ish-republika sovjetike. Sipas meje, kjo flet për faktin se nuk ka pasur një shtytje të mjaftueshme në favor të njerëzve që e kundërshtuan komunizmin dhe për të vënë në dukje heroizmin që treguan këta njerëz gjatë periudhës së shtypjes. Mendoj se duhet të ketë më shumë vëmendje nga media dhe nga sistemi arsimor, më shumë informacion publik rreth atyre që vuajtën nën komunizëm. VoA

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY