Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një paketë ligjore që synon rritjen e kontrollit dhe transparencës mbi kontratat publike, koncesionet dhe përdorimin e pasurive publike.
Gjatë prezantimit të paketës, deputeti i PD-së Enno Bozdo deklaroi se situata me kontratat publike dhe koncesionet është alarmante, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për përdorim abuziv të fondeve dhe pasurive publike.
“Në 5 vitet e fundit, qeveria e Edi Ramës ka shënuar rekorde negative të padëgjuara për sa i përket korrupsionit, grabitjes së fondeve publike dhe pasurive publike”, u shpreh Bozdo.
Sipas tij, paketa e propozuar nga grupi parlamentar i PD-së ka si synim gjurmimin, kontrollin dhe vlerësimin e mënyrës se si përdoren fondet dhe pasuritë publike, si dhe dhënien e rekomandimeve apo marrjen e masave në rastet kur konstatohen problematika.
Deputeti tjetër i PD-së, Ivi Kaso, u ndal te kuadri aktual ligjor, duke argumentuar se ai nuk garanton transparencë të mjaftueshme për pronat dhe paratë publike që kalojnë në përdorim të subjekteve private përmes kontratave.
“Sot, kuadri ligjor nuk garanton transparencë për pronat dhe paratë publike që kalojnë me kontrata te privati”, deklaroi Kaso.
Sipas demokratëve, paketa synon të krijojë mekanizma më të qartë për monitorimin e kontratave publike dhe koncesioneve, duke përfshirë gjurmimin e fondeve, kontrollin e përdorimit të pasurive shtetërore dhe vlerësimin e përfitimeve që krijohen nga këto marrëdhënie kontraktore.a.b





