Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Broken Door”, duke arrestuar autorin e dyshuar të 16 vjedhjeve me thyerje në lokale të ndryshme të kryeqytetit.
Në pranga është vënë shtetasi E. Gj., 34 vjeç, i cili dyshohet se gjatë muajve gusht dhe shtator 2026 ka vjedhur shuma parash dhe produkte në 16 lokale.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1, Nr. 2, Nr. 3 dhe Nr. 4, pas kallëzimeve të bëra nga administratorë të subjekteve të ndryshme për vjedhje me thyerje.
Sipas Policisë, 34-vjeçari dyshohet se ka kryer 8 vjedhje në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 2, 4 në territorin e Komisariatit Nr. 3, 2 në territorin e Komisariatit Nr. 1 dhe 2 në territorin e Komisariatit Nr. 4.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se i arrestuari ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale, “Vjedhja”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale të 34-vjeçarit në fushën e vjedhjeve. a.b





