Protesta qytetare në Tiranë ka hyrë sot në ditën e 110-të, ndërsa qytetarët vijojnë aksionin kundër qeverisë dhe mazhorancës. Protesta ka nisur prej orës 09:00, në një kohë kur në Kuvend po zhvillohet seanca plenare.
Në afërsi të selisë së Partisë Demokratike, disa protestues kanë përmbysur dy kazanë mbeturinash, në shenjë kundërshtie ndaj klasës politike. Në zonë është konstatuar prani e shtuar e forcave të Policisë.
Ndërkohë, pranë Kuvendit janë regjistruar tensione mes protestuesve dhe Policisë. Qytetarët nuk janë lejuar t’i afrohen godinës së Parlamentit, ndërsa zona është rrethuar me gardh metalik.
Protestuesit janë vendosur përballë kordonit të forcave të rendit dhe në një moment kanë tentuar ta shtyjnë atë. Policia ka shoqëruar tre persona, mes tyre edhe Dritan Goxhaj.
Gjatë protestës, një prej qytetarëve i ka bërë thirrje drejtorit të Policisë, Skënder Hita, që efektivët të mos ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve.
“I bëj thirrje drejtorit të Policisë Skënder Hita, asnjë polic të mos ngrejë dorë mbi protestuesit e pafajshëm. Kemi të drejtë të protestojmë. Kush ushtron dhunë ndaj protestuesve do të përgjigjet para ligjit dhe Kushtetutës. Dhuna që do të ushtrohet do të jepni përgjigje në mënyrë individuale”, deklaroi protestuesi.
Nga ana tjetër, Policia u ka bërë apel qytetarëve që të lirojnë rrugën, duke paralajmëruar ndërhyrje në rast të vijimit të bllokimit.
“Bllokimi i rrugëve është vepër penale. Lironi rrugën, policia do veprojë”, ishte apeli i Policisë.
Protestuesit kanë vijuar marshimin dhe grumbullimin në rrugët e Tiranës, ndërsa nga turma janë dëgjuar thirrjet “Arrestoni Ramën”, “Ju erdhi fundi” dhe “Qeveri e krimit”.
Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës, ndërsa akuzojnë qeverinë për përhapje të korrupsionit në strukturat shtetërore.a.b





