Qeveria Shqiptare ka pësuar një pengesë serioze juridike në përpjekjen për të marrë kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës pas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e parakohshme të kontratës koncesionare.
Me një urdhër emergjent të datës 16 shtator 2026, arbitri i emëruar në procedurën e administruar nga ICC-ja ka vendosur masë sigurimi duke urdhëruar që Ministria të mos marrë posedimin ose kontrollin operacional të aeroportit, të mos kërkojë dorëzimin e aseteve dhe të mos e zëvendësojë shoqërinë koncesionare VIA me një operator tjetër.
Vendimi ndalon gjithashtu çdo veprim që mund të ndryshojë gjendjen ekzistuese ose të përshkallëzojë më tej mosmarrëveshjen, deri në krijimin e Tribunalit të Arbitrazhit që do ta shqyrtojë çështjen në themel.
Edhe pse në këtë fazë nuk është vendosur përfundimisht mbi vlefshmërinë e zgjidhjes së kontratës, zbatimi i pasojave të saj më të rëndësishme është bllokuar. Praktikisht, Qeveria nuk mund të marrë aeroportin dhe as t’ia kalojë projektin një operatori tjetër.
Urdhri përbën një zhvillim të rëndësishëm në konfliktin ndërmjet VIA-s dhe Ministrisë dhe ngre pikëpyetje serioze mbi nxitimin me të cilin autoritetet shqiptare tentuan të krijonin një situatë të pakthyeshme përpara shqyrtimit të plotë të mosmarrëveshjes.
Njoftimi i Zgjidhjes së kontratës do të hynte në fuqi ditën e nesërme më 17 shtator 2026, pra 30 ditë pune pas shpalljes së tij nga Ministria e Infrastrukturës me 5 gusht. Por urdhi i Gjykatës së Arbitrazhit në Londër, e ndalon qeverinë të zgjidhë kontratën apo të marrë ndonjë veprim për të shpronësuar konçesionarin deri në shqyrtimin e tij e çështjes në themel.
Kjo e vendos aeroportin e Vlorës përballë një skenari të gjatë vonese, nëse qeveria nuk do të gjejë zgjidhje me koncesionarin aktual, pasi çështja e arbitrazhit mund të marrë vite për të shkuar deri tek vendimi final. kapitali.al




