Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e ka cilësuar aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe drejtësinë për viktimat.
Pas shpalljes së vendimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, West deklaroi se gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht pozitës apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare.
“Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare”, tha West, sipas një njoftimi për media.
Prokurorja Speciale theksoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe as luftën për pavarësinë e Kosovës.
“ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht UÇK-në dhe as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës. Individë të caktuar shfrytëzuan ato rrethana të luftës për të kryer krime të rënda, dhe është për meritë të Kosovës që këta individë nxirren tani para përgjegjësisë”, deklaroi West.
Ajo shtoi se aktgjykimi përfaqëson, sipas saj, një hap të rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe drejtësinë për viktimat.
West tha gjithashtu se ZPS-ja do ta shqyrtojë në ditët në vijim të gjithë aktgjykimin, përfshirë edhe pjesët e aktakuzës që lidhen me krimet kundër njerëzimit, për të cilat nuk pati dënime.m.k





