Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila urdhëroi ekzekutimin e pagave të plota për gjyqtarët dhe prokurorët.
Në një postim në rrjetin social X, Rama e ka kritikuar ashpër vendimin, duke vënë në pikëpyetje shpejtësinë me të cilën është marrë masa e sigurisë dhe duke pretenduar se bëhet fjalë për një vendim që lidhet me interesin vetjak të gjyqtarëve.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”, shkruan Rama.
Kryeministri i është referuar edhe tabelës së publikuar bashkë me reagimin e tij, duke argumentuar se Gjykata Administrative po kërkon ekzekutimin e pagesave nga Thesari i Shtetit pa kaluar më parë në Kuvend.

“Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator”, përfundon Rama.m.k





