Protesta kundër qeverisë ka vijuar për të 103-ën ditë radhazi para Kryeministrisë, ndërsa protestuesit kanë përsëritur thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshim politik. Në tubim është paralajmëruar gjithashtu një protestë e madhe të shtunën, ku pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora.
Protestuesja Sidorela Vatnikaj u bëri thirrje qytetarëve të kujtojnë vështirësitë që, sipas saj, kanë përjetuar gjatë viteve të qeverisjes dhe pasojat e largimit të shqiptarëve nga vendi.
“Pushteti kërkon që të na përçajë. Ne duam Shqipërinë e lirë dhe demokratike, që kemi ëndërruar. Ne nuk e hamë më sapunin për djathë. Jemi këtu sepse jemi bërë bashkë dhe të njohim armikun që na ka dhunuar e na ka grabitur për 36 vjet. Spitalet janë në gjendje të rënduar, nuk kanë as serume. Kujtoni shkollat që janë në gjendje tepër të rëndë, kujtoni rastin e Martin Canit, që u masakrua nga shokët e vet dhe nuk ka një reagim institucional.
Kujtoni fëmijët tanë që i kemi përcjellë jashtë vendit, kujtoni nipër e mbesa që nuk dinë as shqip, sepse prindërit e tyre kanë ikur nga ky vend. Kujtoni sesa herë ju janë mbyllur dyert me arrogancë dhe madje nuk iu kanë vlerësuar fare. Mendoni të gjitha këto dhe kujtoni se kjo protestë është shkëndija e qartë për ndryshimin e vendit. Mafia është akoma në pushtet dhe duhet të mos kemi frikë. Por ia kemi dalë për të thënë se këtu vendosim ne”, deklaroi Vatnikaj.
Në protestë foli edhe një i ri, i cili tha se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë, por aktualisht është i papunë. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion në punësimet në administratën publike dhe kërkoi përshkallëzim të protestës.
“Sot është dita e 103-të e protestës. Sot kam ardhur si një inxhinier që ka mbaruar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë. Jam i papunë se në administratë kërkojnë 7 milionë lekë për një vend pune.
Aferat e kësaj qeverie nuk kanë fund, me inceneratorët, apo krimet e Ballukut, që nuk dihet se sa prona ka, nga Veriu deri në Jug.
Ne duhet ta detyrojmë të japë dorëheqjen. Me përshkallëzim, me bllokimin e rrugëve, bllokimin e trafikut, të autostradave. Ndaj dhe me diasporën që vjen, ta rrëzojmë këtë pushtet”, tha ai.
Ndërkohë, aktivisti Edison Lika u ndal te protesta e paralajmëruar për të shtunën dhe pjesëmarrja e diasporës. Ai tha se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit priten “krahëhapur” dhe bëri thirrje për bashkim në protestë.
“Të ikë kryeministri dhe gjithë qeveria. Ne e kemi ndarë mendjen ose ne në Shqipëri ose Edi Rama në Kryeministri, të dyja nuk shkojnë bashkë. Ne jemi këtu sepse e kemi vendosur se nuk shitet Shqipëria. Presim diasporën krahëhapur dhe do rrëzojmë këtë regjim kriminal.
Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve në diasporë, i bëjmë thirrje që të bashkohen me këtë autokolonë, që të shpëtojmë të gjithë bashkë Shqipërinë. 103 ditë rezistencë do të bëhemi akoma më shumë. Ne nuk do largohemi derisa ta rrëzojmë Ramën dhe regjimin”, deklaroi Lika. m.k





