Protestat kundër qeverisë Rama hyjnë sot në ditën e 98-të, ndërsa qytetarët dhe aktivistët kanë paralajmëruar një mobilizim të madh në Tiranë për të hënën, kur shënohen 100 ditë nga nisja e aksionit.
Në mbrëmje, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Gjatë marshimit u dëgjuan thirrjet “Rama jep dorëheqjen” dhe “Arrestoni Ramën”, ndërsa protestuesit mbanin pankarta kundër qeverisë.
Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, marshimi vijoi përgjatë bulevardit dhe rrugëve të Tiranës. Protestuesit deklaruan se aksioni do të vazhdojë dhe se arrestimet nuk do t’i tërheqin nga kërkesat e tyre.
Në fokus është tashmë protesta e së hënës, për ditën e 100-të të qëndresës. Aktivistët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga qytetarë të të gjithë vendit dhe kanë paralajmëruar rrethimin e Kryeministrisë.
Krahas dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Ndërkohë, aksioni pritet të shtrihet edhe përpara Parlamentit, i cili rikthehet në aktivitet të martën, më 8 shtator, një ditë pas protestës së 100-të.





