5 shtatori shënon 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e cila u shpall shenjtore nga Papa Françesku në Vatikan, në shtator të vitit 2016.
Ceremonia e shenjtërimit u zhvillua në praninë e më shumë se 120 mijë besimtarëve, mes tyre edhe një numër i madh shqiptarësh. Papa Françesku e vlerësoi Nënë Terezën si një simbol botëror të dashurisë, mëshirës dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.
5 shtatori është gjithashtu dita e përkujtimit liturgjik të Shën Terezës së Kalkutës, por edhe Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë. Kjo datë përkon me ditën e ndarjes së saj nga jeta, më 5 shtator 1997.
Nënë Tereza ishte lumturuar më herët, në vitin 2003, nga Papa Gjon Pali II. Procesi i shenjtërimit u përmbyll pas njohjes nga Vatikani të dy mrekullive që iu atribuuan ndërmjetësimit të saj.
E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, Nënë Tereza nisi misionin e saj në Kalkutë, ku në vitin 1950 themeloi Misionaret e Dashurisë. Kongregacioni do të shndërrohej më pas në një organizatë ndërkombëtare që vepron në dhjetëra vende të botës.
Në vitin 1979, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj në shërbim të njerëzve të varfër dhe në nevojë. Nënë Tereza kërkoi që fondet e çmimit t’u dhuroheshin të varfërve.
Pas dekadash izolimi, ajo vizitoi disa herë Shqipërinë, ku u angazhua në hapjen e shtëpive të bamirësisë dhe forcoi lidhjen me vendin e origjinës.
Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Sot, 10 vite pas shenjtërimit të saj, figura e saj vijon të lidhet në mbarë botën me bamirësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe shërbimin ndaj njerëzve në nevojë.m.k



