Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të shpronësuar zonën ku ndodhi përplasja e armatosur mes dy biznesmenëve në Orikum dhe për ta kthyer atë në një aset publik e turistik ka sjellë reagimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Rama njoftoi se zona do të shpronësohet për interes publik dhe do të kthehet në një park të ullirit, ku do të ruhen varietete autoktone shqiptare dhe mesdhetare dhe do të ekspozohen vajrat e ullirit të prodhuar në Shqipëri. (euronews.al)
Bardhi e ka cilësuar vendimin si një mënyrë për t’u garantuar, sipas tij, kompensim me miliona euro dy biznesmenëve të përfshirë në konflikt.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, shpronësimi nuk i ndëshkon dy personat që u përplasën me armë, por i hap rrugë kompensimit të tyre me para publike.
Bardhi pretendon se në themel të konfliktit qëndron çështja e pronësisë dhe mbivendosja e pronave për dy projekte, për të cilat, sipas tij, vendimmarrja është bërë me firmën e kryeministrit Rama.
“Njërin prej biznesmenëve Edi Rama e ka shpallur investitor strategjik, i ka vënë në dispozicion mbi 200 mijë m² tokë publike për të ndërtuar dhe i ka dhënë bregdetin në përdorim për 99 vjet. Tjetrit i ka dhënë leje për një projekt të ngjashëm”, deklaron Bardhi.
Ai ngre pyetjen se si janë dhënë të drejta zhvillimi mbi prona që, sipas tij, rezultojnë të mbivendosura dhe pse kjo problematikë nuk është evidentuar në momentin kur janë firmosur statusi i investitorit strategjik dhe lejet e ndërtimit.
“Këtë model që vjen erë korrupsion, Partia Demokratike e ka kundërshtuar prej disa vitesh”, shprehet Bardhi, duke kujtuar se PD ka kërkuar shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike.
Sipas tij, qeveria duhet të kishte hequr statusin e investitorit strategjik, të anulonte lejet mbi pronën në konflikt dhe të hetonte personat që mund të kenë falsifikuar dokumentet e pronësisë, në vend që të zgjidhte rrugën e shpronësimit.
Bardhi argumenton se shpronësimi nënkupton kompensim financiar dhe se barra do të bjerë mbi taksapaguesit shqiptarë.
“Sepse shpronësim do të thotë kompensim me para publike. Biznesmenët në konflikt do të paguhen me paratë e mbledhura nga taksat e shqiptarëve”, shkruan ai.
Deputeti demokrat e cilëson vendimin si një “gjobë shumëmilionëshe” ndaj shqiptarëve dhe kërkon që institucionet e drejtësisë të hetojnë mënyrën se si është krijuar konflikti dhe vendimmarrjen e institucioneve shtetërore.
Sipas Bardhit, “minimalisht” Rama mund të ketë përmbushur elementë të veprës së shpërdorimit të detyrës.
“Hetimi duhet të nisë prej firmës së tij për investitorin strategjik deri tek qëndrimi i sotëm i pajustifikuar për shpronësim”, deklaron ai.
Në fund, Bardhi i kërkon SPAK-ut të mos heshtë dhe e cilëson çështjen jo thjesht si një konflikt banal apo problem të imazhit të turizmit, por si një rast që, sipas tij, duhet hetuar për të përcaktuar nëse vendimi për shpronësimin po përdoret për të mbyllur konfliktin me para publike.
“Duhet hetuar nëse Kryeministri po përpiqet të mbyllë me sa më pak zhurmë dhe me shumë milionë euro të shqiptarëve një problem të krijuar me firmën dhe vullnetin e tij”, përfundon Bardhi.a.b




