Aktivisti Arben Kola, një prej 14 protestuesve të arrestuar pas tubimit para Kryeministrisë, ka reaguar publikisht pas lirimit të tij, duke e cilësuar arrestimin si një akt politik.
Kola u la i lirë pas 72 orësh në qeli, pasi Gjykata e Tiranës e shpalli të paligjshëm arrestimin e tij dhe të 13 protestuesve të tjerë.
Në fjalimin e mbajtur para protestuesve, Kola akuzoi organet e rendit për përdorim të tepruar të forcës dhe e lidhi reagimin e tyre me, sipas tij, frikën e qeverisë përballë protestave qytetare.
“Regjimi është i tmerruar siç e keni parë! Rama ka edhe ca ‘djaj’ dhe ata fshihen diku mes policisë dhe herë pas here mes prokurorisë. Arrestimi i aktivistëve, përfshirë mua, ishte një arrestim politik me urdhër nga Edi Rama,” u shpreh Kola.
Aktivisti kritikoi gjithashtu drejtues të policisë dhe prokurorët që, sipas tij, kërkuan qëndrimin në burg të protestuesve.
“Ishte një arrestim me zbatim të vobektë nga disa shefa policie dhe, për turpin e qeverisë, edhe disa prokurorë ishin bërë palë pasi ishin analfabetë,” deklaroi Kola.
Ai e konsideroi vendimin e gjykatës për lirimin e protestuesve si një zhvillim që, sipas tij, tregon karakterin politik të arrestimeve.
Kola është pjesë e grupit të protestuesve të arrestuar pas protestës së 1 shtatorit para Kryeministrisë, ku Policia ndërhyri pas bllokimit të hyrje-daljeve të institucionit.
Akuzat e aktivistit ndaj kryeministrit, policisë dhe prokurorisë janë pretendime të tij dhe nuk përbëjnë një konstatim gjyqësor për përgjegjësi politike apo penale.




