Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nisur sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një udhëtim të cilin e cilësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe me ngjashmëri me vizitën e tij të parë në SHBA.
Në një prononcim për mediat para nisjes, Berisha tha se udhëtimi i tij nuk ka karakter personal, por e lidhi atë me zhvillimet politike në Shqipëri dhe me mbështetjen që, sipas tij, SHBA-ja do t’u japë shqiptarëve.
“Ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se në rrafshin personal synon të takojë miqtë e tij në Shtetet e Bashkuara.
Berisha e krahasoi emocionin e këtij udhëtimi me atë të vizitës së tij të parë në SHBA, në fillim të viteve ’90.
Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar atë si një “regjim të narkoshtetit” dhe duke thënë se Shqipëria duhet të çlirohet nga ajo që ai e quan diktaturë autoritare.
Më poshtë, pyetjet e gazetarëve dhe përgjigjet e Berishës:
Pyetje: Zoti Berisha, përveç një fitore tuajën personale, për Partinë Demokratike çfarë lloj mesazhi ka kjo…
Sali Berisha: Edhe një herë, edhe një herë, nuk ka asgjë personale. Thashë dhe një herë, prania juaj këtu dëshmon se ju e ndjeni që ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë.
Kurse në rrafshin tim, unë shkoj dhe takoj miqtë e mi të cilëve u them: unë erdha, erdha.
Pyetje: Zoti Berisha, pyetja e parë. Keni udhëtuar shpesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kryeministër keni takuar presidentë të ndryshëm. Po çfarë emocioni keni në këtë udhëtim? Është një emocion ndryshe apo shkoni i ftohtë?
Sali Berisha: Po, është ndryshe. Është ndryshe. Ka disa ngjashmëri. Ndonëse është vite dritë larg, por ka disa ngjashmëri me udhëtimin tim të parë në Shtetet e Bashkuara.
Pyetje: Është më i rëndësishmi ky udhëtim apo si do ta vlerësoni? Më historiku?
Sali Berisha: Është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Thashë, fakti që jeni këtu dëshmon se ju e ndjeni të drejtë se ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë.
Pyetje: Dhe një pyetje, biletën e biznes apo ekonomik class?
Sali Berisha: Faleminderit shumë. Faleminderit dhe mirupafshim.
Pyetje: Ju nisët fraksionin dhe ju drejtuat parlamentit duke thënë që unë erdha. A keni një mesazh për kryeministrin Rama tani që po niseni për në SHBA? Para pak minutash ka qenë në aeroport… Çfarë mesazhi keni për zotin Rama?
Sali Berisha: Për Padrinon, i them se po niset si Padrino dhe po arrin si Ramaduro.





