Pesë persona janë arrestuar dhe gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim pas përplasjes së armatosur të ndodhur sot në një hotel në Radhimë, ku biznesmeni Vasil Bedinaj denoncoi se ishte dhunuar dhe kërcënuar me armë.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, bëri të ditur se nga veprimet hetimore ka rezultuar se Luan Muça, së bashku me persona të tjerë, kishte shkuar në hotelin në pronësi të Bedinajt dhe, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kishte kërkuar 5 milionë euro.
Sipas Policisë, biznesmeni ishte kërcënuar gjithashtu se duhej të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Përplasja më pas ka vijuar në oborrin e hotelit, ku sipas Policisë nuk ka pasur të shtëna brenda ambienteve të hotelit. Angjelo Breshani, i cili dyshohet se ndodhej në krah të Bedinajt, ka marrë nga automjeti i biznesmenit një armë zjarri të cilën ai e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave të tjerë.
Ngjarja u denoncua rreth orës 11:30. Pas njoftimit, Policia ngriti pika kontrolli në hyrje-daljet e Vlorës, në Dhërmi, si dhe në territoret e Fierit dhe Gjirokastrës.
Rreth orës 12:00, në Rrethin e Alikokës, një “Range Rover” i zi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe vijoi lëvizjen drejt Peshkëpisë. Gjatë ndjekjes, automjeti doli nga rruga dhe përplasi barrierat mbrojtëse në Urën e Peshkëpisë.
Në automjet ndodheshin Luan Muça, 55 vjeç, dhe vëllezërit Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, dhe Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, të dy punonjës të një shërbimi privat të sigurisë. Si pasojë e aksidentit, Muça dhe Mandrit Lleshaj mbetën të dëmtuar dhe u transportuan në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, Policia sekuestroi një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë luftarakë.
Ndërkohë, rreth orës 13:00, në Mbikalimin e Memorialit në Fier, u ndalua një tjetër automjet i shpallur në kërkim, i drejtuar nga shtetasi kosovar Blerim Heta, 40 vjeç. Në automjet u konstatuan dëmtime në xhamin e pasagjerit, që dyshohet se janë shkaktuar nga të shtënat me armë zjarri. Brenda tij u gjetën edhe tre fishekë pistolete.
Rreth orës 16:30, pranë fshatit Kaninë, në bypass-in e Vlorës, u gjet duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve, Policia arrestoi në flagrancë Luan Muçën, Klaudio Lleshajn, Mandrit Lleshajn, Blerim Hetën dhe Angjelo Breshanin.
Gjithashtu, gjashtë persona të tjerë dhe katër automjete janë shpallur në kërkim.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.





