Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së dielës zonën e Pimonte, në provincën e Napolit, ku është ekzekutuar një 69-vjeçar i njohur si figurë historike e Camorrës.
Viktima është Raffaele Afeltra, i identifikuar si pjesë e fraksionit Afeltra-Di Martino të Pimonte. Trupi i tij është gjetur brenda automjetit, pranë një parcele toke në zonën malore të Monti Lattari.
Sipas të dhënave paraprake, Afeltra dyshohet se është sulmuar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë qëlluar disa herë me armë gjahu. Autorët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Hetimet janë përqendruar në zbardhjen e dinamikës së atentatit, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të vrasjes.
Afeltra, i njohur edhe me nofkën “O’ Burraccione”, kishte një të kaluar të gjatë kriminale të lidhur me Camorrën. Në vitin 2019 ai ishte dorëzuar tek autoritetet italiane, pas një periudhe arratie, dhe më pas kishte vuajtur dënimin e formës së prerë për zhvatje në kuadër të veprimtarisë së Camorrës.
Prej rreth tre vitesh, 69-vjeçari ndodhej sërish në gjendje të lirë.
Pikërisht e kaluara e tij kriminale dhe lidhjet me botën e krimit të organizuar janë ndër pistat që po shqyrtojnë hetuesit. Autoritetet po analizojnë kontaktet e tij, konfliktet e mundshme dhe marrëdhëniet me grupet rivale, për të përcaktuar nëse vrasja është pjesë e një përplasjeje mes klaneve.
Hetimet vijojnë ndërsa policia italiane po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.





