Aktiviteti minerar ka sjellë të ardhura dhe punësim në Has, por pas dekadash shfrytëzimi ka lënë pas dampa, venddepozitime dhe zona që kërkojnë rehabilitim. Ndërsa kompanitë paguajnë rentë minerare dhe garanci financiare për rikuperimin e mjedisit, të dhënat ngrenë një pyetje thelbësore: sa prej këtyre parave dhe mekanizmave financiarë përkthehen realisht në përfitim për komunitetin dhe në rikuperim të territorit?
Hasi është një territor i pasur me krom, bakër, hekur-nikel, nikel-silikate dhe minerale ndërtimore. Aktualisht në territorin e bashkisë operojnë 22 subjekte minerare: 17 me leje për krom, tre për Fe-Ni dhe Ni-Si dhe dy për gëlqerorë.
Kjo pasuri natyrore ka krijuar prej dekadash një ekonomi të lidhur me industrinë nxjerrëse, por njëkohësisht ka prodhuar edhe një faturë mjedisore.
Në Golaj, ku miniera e bakrit u mbyll në vitin 1994, ish-fabrika e pasurimit ka lënë dy dampa me rreth 350 mijë ton sterile të mineralit të procesuar. Në Perollaj ka funksionuar fabrika e përpunimit të kromit, ndërsa vendburimi i Vlahnës vlerësohet se ka rreth 2.5 milionë ton rezerva kromi. Vetë Golaj ka rreth 4.5 milionë ton rezerva, edhe pse të varfra, bakri, të pashfrytëzuara.
Dampat e Golaj dhe Perollaj janë përfshirë si zona me rrezik mjedisor edhe në raportin për vlerësimin e riskut teknologjik në Shqipëri, të hartuar në kuadër të projektit RESEAL të mbështetur nga PNUD.

Problemi, megjithatë, nuk lidhet vetëm me të shkuarën. Aktiviteti minerar vazhdon dhe bashkë me të vazhdon edhe nevoja për të garantuar që shfrytëzimi i sotëm të mos krijojë ndotjen e nesërme.
Dy mekanizma financiarë, por sa përfiton territori?
Legjislacioni shqiptar parashikon dy instrumente të rëndësishme që lidhen me aktivitetin minerar: rentën minerare dhe garancinë financiare për rehabilitimin e mjedisit.
Renta minerare paguhet nga subjektet që shfrytëzojnë burimet natyrore. Ligji parashikon që 5 për qind e të ardhurave nga kjo rentë t’i kalojnë pushtetit vendor ku zhvillohet veprimtaria dhe të përdoren për investime apo nevoja sociale nga njësitë e qeverisjes vendore.
“Në Has, gjatë viteve 2019–2022, kompanitë minerare kanë paguar rreth 75.2 milionë lekë rentë, ose mesatarisht rreth 19 milionë lekë në vit. Sipas përllogaritjeve, pjesa prej 5 për qind që do t’i takonte pushtetit vendor do të ishte rreth 950 mijë lekë në vit”, thuhet në raportin e monitorimit të garancisë mjedisore dhe rentës hartuar nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (qTIL). Në kuadër të një projekti mjedisor nga Green- Al, zbatuar nga qTIL, se bashku me 2 organizata të tjera, qendra ‘Fol’ dhe qendra për Zhvillim dhe Integrim, janë kryer monitorime dhe analiza përgjatë një viti e gjysëm. Projekti mbështetet nga qeveria suedeze.
Projekti ka kalkuluar një llogaritje të të dhënave mbështetur nga shifrat e publikuara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN).
Për periudhën 2023–2025, vlera mesatare vjetore e rentës minerare rezulton rreth 15.8 milionë lekë. Me të njëjtën formulë, pjesa e bashkisë do të ishte rreth 790 mijë lekë në vit.
Has.
| Renta minerare për vitet 2023-2025 paguar nga kompanite minerare me aktivitet ne Has | |
| Viti | Vlera ne lekë |
| 2023 | 32601830 |
| 2024 | 13134486 |
| 6-Mujori-1-2025 | 820838×2 |
| Totali | 47.377.992 |
Shuma nuk është e madhe përballë ndikimit që aktiviteti minerar mund të ketë mbi territorin. Por problemi bëhet edhe më i dukshëm nga fakti se, sipas kryetarit të Bashkisë Has, Miftar Dauti, bashkia nuk ka tërhequr të ardhura nga renta minerare të paktën gjatë tre viteve të fundit.
Renta nuk kalon automatikisht nga administrata tatimore dhe doganore në arkën e bashkisë, por kërkon një procedurë administrative, e cila shoqërohet me kosto. Për një bashki të vogël, raporti mes shumës së përfituar dhe kostos së procedurës nuk rezulton të jetë tërheqës.
Kështu krijohet një paradoks: territori prodhon mineral dhe mban një pjesë të kostove mjedisore të aktivitetit, ndërsa instrumenti financiar i krijuar për të kthyer një pjesë të të ardhurave te komuniteti nuk funksionon me efektivitet.
Garancia mjedisore: para që duhet të sigurojnë rehabilitimin

Ndryshe nga renta, garancia financiare nuk është taksë. Ajo është një shumë që kompanitë duhet të depozitojnë për të garantuar rehabilitimin e territorit të prekur nga aktiviteti minerar.
Çdo subjekt që kërkon leje minerare duhet të paraqesë një plan rehabilitimi. Mbi bazën e tij përcaktohet vlera e garancisë financiare, e cila depozitohet në Thesarin e Shtetit. Nëse kompania rehabiliton territorin sipas detyrimeve, garancia i kthehet; në të kundërt, ajo duhet të shërbejë për rikuperimin e mjedisit.
Udhëzimi i vitit 2024 ndryshoi mënyrën e llogaritjes së saj, duke përdorur preventiva që marrin parasysh sipërfaqen, llojin e minierës, intensitetin e punimeve dhe mënyrën e rehabilitimit. Për shembull, rehabilitimi i një hektari karriere është vlerësuar në rreth 885 mijë lekë, nga rreth 584 mijë lekë më parë. Kostoja e planit të mbylljes së një miniere është rritur nga rreth 206 mijë në mbi 1.1 milion lekë.
Por problemi kryesor shfaqet te zbatimi.
Sipas të dhënave të AKBN-së të evidentuara nga qTIL, nga 641 aplikime minerare gjatë dhjetë viteve, vetëm 13 subjekte kanë dorëzuar raportin përfundimtar të mbylljes së aktivitetit dhe vetëm pesë kanë përmbushur rehabilitimin mjedisor duke marrë mbrapsht garancinë e depozituar.
Kjo shifër tregon hendekun mes ekzistencës së mekanizmit ligjor dhe rehabilitimit real të territorit.
Në nivel kombëtar, sipas të dhënave të cituara nga Reporter.al mbi 24,400 hektarë ishin dhënë për shfrytëzim minerar dhe karriera deri në shkurt 2023, ndërsa vetëm 17 hektarë rezultonin të rehabilituar në dhjetë vjet. Në të njëjtën periudhë, AKBN dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kishin mbledhur rreth 761 milionë lekë, ose 7.7 milionë euro, si garanci financiare mjedisore.
Të dhënat e sipëfaqeve të rehabilituara në raport me sipërfaqet e shfrytezuara. Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri (reporter.al)
Në Has, 6.5 milionë lekë garanci në tre vjet
Vetëm subjektet minerare që operojnë në Bashkinë Has kanë paguar 6.57 milionë lekë garanci financiare për rehabilitimin e mjedisit gjatë viteve 2023–2025. Në periudhën 2019–2022 ishin paguar rreth 10.2 milionë lekë.
| Garancia financiare e rehabilitimit të mjedisit për vitet 2023-2025 nga kompanite e akomoduara ne Has | |
| Vitet | Vlera në lekë |
| 2023 | 2,714,841 lekë |
| 2024 | 2,224,744 lekë |
| 6-Mujori-1-2025 | 1,627,534 lekë |
| Totali | 6,567,119 lekë |
Pyetja është nëse mekanizmi aktual është i mjaftueshëm për një territor ku efektet mjedisore mund të shfaqen ndërkohë që miniera është ende në aktivitet.
Sipas AKBN-së, rehabilitimi përfundimtar kryhet kur kompania mbaron shfrytëzimin. Por disa leje minerare janë ende aktive dhe mund të vazhdojnë për të paktën gjashtë vite të tjera.
Ndërkohë, ndotja nuk pret domosdoshmërisht përfundimin e licencës.
Erozioni, depozitimi i sterileve, ndikimi mbi ujërat apo tokën dhe dëmtimi i vegjetacionit mund të zhvillohen gjatë gjithë ciklit të shfrytëzimit. Kjo është arsyeja pse monitorimi dhe rehabilitimi progresiv marrin rëndësi po aq sa rehabilitimi përfundimtar.
Një model i ri për zonat minerare
Përfundimet e monitorimit të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë e vendosin theksin pikërisht këtu. Sipas gjetjeve, monitorimi institucional dhe rehabilitimi i ndotjes minerare kanë qenë të pamjaftueshme dhe nuk është ndërtuar ende një strategji që t’i japë zgjidhje afatgjatë sterileve të dampave të Golaj dhe Perollaj. Analizat e qTIL tregojnë se trashëgimia minerare vazhdon të ndikojë tokën dhe ujin dhe se, pa rehabilitim dhe monitorim të rregullt, rreziku mund të rritet me kalimin e kohës.
Në thelb, Hasi shtron një pyetje që vlen për të gjitha zonat minerare të Shqipërisë: kush duhet ta paguajë koston e rikuperimit të një territori pasi pasuria e nëntokës është nxjerrë?
Ligji ka krijuar rentën dhe garancinë financiare. Kompanitë paguajnë. Institucionet monitorojnë. Por hallka që duhet të forcohet është ajo që lidh paratë, përgjegjësinë dhe rehabilitimin real të territorit.
Sepse për komunitetin që jeton pranë një miniere apo një dampe, treguesi më i rëndësishëm nuk është vetëm sa mineral është nxjerrë apo sa rentë është paguar. Është në çfarë gjendjeje mbetet toka, uji dhe mjedisi ku ai do të vazhdojë të jetojë edhe pasi miniera të jetë mbyllur.
Për këtë arsye rekomandohet që pusheti lokal duhet të marrë domosdoshmërisht kompetenca në lidhje me monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit, kompetencë që nuk e ka tani. Për shembull Bashkia Has duhet të krijojë një kapacitet të vetin monitorues, duke caktuar një person përgjegjës për zonat minerare, të ndajë fonde për ndërhyrje në rastet ku ndotja kërcënon banorët, bujqësinë apo blegtorinë dhe të tërheqë rentën minerare duke e përdorur një pjesë të saj për programe mjedisore.
Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024 – 2027”, financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).





