Nga Genc Pollo
(Për të tërë ata që mallkojnë marrëveshjen Berisha-Rama e cila çoi në amendimet kushtetuese të v2008)
Në Kosovë që nga dhjetori 2025 situata politike është e bllokuar pasi nuk ekziston një mazhorancë parlamentare e kualifikuar që të mbështesë zgjedhjen e presidentit (një pjesë e deputetëve mjafton të jetë prezent në plenare pa e votuar kandidatin duke ofruar kështu një artific kushtetues interesant). Si pasojë, megjithëse maxhoranca qeverisëse (minimalisht 50% + 1) ishte e arritur, Kosova në qershor 2026 përsëriti zgjedhjet parlamentare që dhanë rezultat të ngjashëm me gjysëm viti më parë. Deri në mes të gushtit ende nuk është e qartë nëse ka marrëveshje për të zgjedhur presidentin dhe për të restauruar normalitetin politiko-kushtetues.
Në v2007 Shqipëria riskonte një situatë të tillë pasi koalicionit rreth Partisë Demokratike i mungonte mazhoranca e cilësuar (3/5) në Kuvend e domosdoshme sipas Kushtetutës së v1998 për të zgjedhur presidentin mbas përfundimit të mandatit të presidentit Moisiu. Nëse ngërçi nuk zgjidhej do të nevojiteshin dy zgjedhje parlamentare, dy muaj pas njëra tjetrës, që Kuvendi të mund të zgjidhte presidentin me mazhorancë të thjeshtë.
Ngërci u zgjidh me ndërhyrjen e ish kryeministrit Nano, i cili aktivizoi “ushtrinë e paqes” dhe bëri të mundur që tok me një grusht deputetësh socialistë të realizohej zgjedhja në korrik 2007.
Në prill 2008, në vijim të asaj që njihet si “Marrëveshja Berisha-Rama”, Kuvendi amendoi Kushtetutën duke përcaktuar se në raundin e fundit të votimit mjaftonte një mazhorancë parlamentare e thjeshtë (50% + 1) për të zgjedhur kreun e shtetit.
Klauozolat për zgjedhjen presidenciale si në kushtetutën e Shqipërise (v1998) ashtu dhe atë të Kosovës (v2008) u frymëzuan nga dëshira që, nën trysninë e zgjedhjeve të parakohshme, të nxisnin palët politike drejt dialogut e marrëveshjes. Fatkeqsisht kjo u provua dritëshkurtër. Në kushtet e polarizimit politik që po e shohim jo vetëm në Tiranë e Prishtinë por edhe më gjerë në Europë e në Amerikë, kompromisi politik po bëhet i vështirë edhe kur është i arsyeshëm.
Në rastin e Kosovës po arrin kufijtë e papërgjegjshmërisë duke lenë shtetin për një kohë të gjatë pa institucione plotësisht legjitime.
Në Shqipëri kjo fatmirësisht nuk ndodh. Fatmirësisht edhe sepse tek ne zgjedhjet parlamentare janë problematike krahasuar me Kosovën ku teknikisht mund të thirren në afatshkurtër e të përfundojnë pa kontestime.
Por ana tjetër e medaljes është që një mazhorancë e thjeshtë mund të emërojë një president pa personalitet politik e pa ndërgjegje shtetërore. Si p.sh. ky që për protestat aktuale ka thënë shumë më pak edhe se funksionarët e Brukselit dhe që ka përdhosur Kushtetutën duke dekretuar personazhe virtuale si ministra të Republikës. Por ama kur përballen me tjetër mazhorancë këta mund bëhen gardianë të vëmendshëm të kushtetutshmërisë siç kemi parë më herët.
Megjithatë, siç thotë frëngu, nuk mundesh të kesh edhe gjalpin edhe paret e gjalpit. Në retrospektivë mund të thuhen se amendimi kushtetues i v2008 ishte i mënçur e i dobishëm.
P. S. Amendimet e tjera të v2008 lidhur me sistemin zgjedhor dhe ofiqin e kryeministrit lipset të analizohen veçmas.
Genc Pollo
President i Paneuropa-Shqipëri
16 gusht 2026




