Në foto Perlat Vatoci
Hynë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë masa më të ashpra për drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit. Ndryshimet janë miratuar me Ligjin nr. 58/2026 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë” dhe kanë hyrë në fuqi më 7 gusht.
Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, bëri të ditura ndryshimet kryesore, duke theksuar se synimi është rritja e sigurisë rrugore dhe parandalimi i aksidenteve.
Sipas rregullave të reja, personat që kapen duke drejtuar automjete pa leje drejtimi do të kenë të shtyrë të drejtën për t’u pajisur me patentë deri në një vit, ndërsa për të miturit kjo periudhë shkon në dy vjet.
Një tjetër masë e rëndësishme lidhet me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit. Leja e drejtimit hiqet përgjithmonë kur drejtuesi rezulton me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.
Ashpërsohen gjithashtu masat ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet në zona urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve. Gjoba për këto shkelje rritet nga 20 mijë në 60 mijë lekë.
Ndryshimet prekin edhe përdorimin e telefonit celular. Përdorimi i tij gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor tashmë sanksionohet. Ndërkohë, patenta pezullohet kur një drejtues ndëshkohet dy herë brenda të njëjtit vit për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, nga tre raste që kërkoheshin më parë.
Masa të posaçme parashikohen edhe për drejtuesit e rinj, të cilët e kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit. Për këtë kategori përcaktohen kufizime të veçanta lidhur me drejtimin nën ndikimin e alkoolit dhe shpejtësinë.
Një tjetër ndryshim është heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e patentës përmes pagesës së dyfishit të masës administrative maksimale. Sipas rregullave të reja, kur parashikohet pezullimi i lejes së drejtimit, kjo masë do të zbatohet automatikisht.
Policia Rrugore u ka bërë apel drejtuesve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos drejtojnë nën efektin e alkoolit, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit dhe të shmangin parakalimet e palejuara dhe manovrat e rrezikshme.
“Masat ndëshkuese nuk janë qëllimi ynë. Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës”, deklaroi Vatoci.
Policia e Shtetit thekson se siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët dhe se ndryshimet e reja synojnë uljen e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së përdoruesve të rrugës.a.b
Ndryshimet kryesore të Kodit Rrugor që kanë hyrë në fuqi më 7 gusht 2026 janë:
- Drejtimi pa patentë
- Shtyhet me 1 vit e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi.
- Për të miturit, shtyrja është 2 vjet.
- Alkooli dhe përsëritja e shkeljes
- Hiqet përgjithmonë patenta nëse drejtuesi ka mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe është ndëshkuar më parë për drejtim nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.
- Manovrat e rrezikshme
- Ashpërsohen masat për shpejtësi të papërshtatshme, manovra agresive, ndryshime të shpeshta korsie pa sinjalizim dhe shkelje të tjera që rrezikojnë përdoruesit e rrugës.
- Gjoba rritet nga 20,000 në 60,000 lekë.
- Përdorimi i celularit
- Sanksionohet përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.
- Patenta pezullohet pas 2 shkeljeve brenda një viti, nga 3 që kërkoheshin më parë.
- Drejtuesit e rinj
- Për personat që kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit, vendosen masa të posaçme për drejtimin nën ndikimin e alkoolit.
- Parashikohen edhe kufizime të veçanta shpejtësie.
- Nuk shmanget më pezullimi me pagesë
- Hiqet mundësia që drejtuesi të shmangë pezullimin e patentës duke paguar dyfishin e gjobës maksimale.
- Kur parashikohet pezullimi, patenta pezullohet automatikisht.
- Zbatimi i masave
- Strukturat e Policisë Rrugore janë udhëzuar për zbatimin e ndryshimeve të reja në të gjithë vendin.





