Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, ka reaguar lidhur me të dhënat e fundit të Eurostat për trajtimin e ujërave të ndotura në Shqipëri.
Malltezi tha se sipas të dhënave të Eurostat, vetëm 12.6% e popullsisë në Shqipëri është e lidhur me impiante që ofrojnë të paktën trajtim dytësor të ujërave të ndotura.
Treguesi ka pësuar rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit, nga 33.6% në vitin 2018, në 30.9% në vitin 2020 dhe më pas në 12.6% në vitin 2024.
“88% e ujërave të ndotura derdhen në det, të patrajtuara siç duhet”, deklaroi Malltezi, duke akuzuar qeverinë për dështim në menaxhimin e sektorit të ujërave të ndotura.
Ai tha se Shqipëria renditet pas vendeve të tjera të rajonit sa i përket këtij treguesi dhe akuzoi institucionet përgjegjëse për mjedisin dhe shëndetin publik se nuk po garantojnë shërbimet e nevojshme për qytetarët.
“A ka institucione ky shtet apo vetëm tendera dhe korrupsion?”, u shpreh Malltezi, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit.
Në fund të deklaratës, drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD përsëriti qëndrimin politik të opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.a.b





