Ministria e Drejtësisë u ka përcjellë autoriteteve franceze dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar pak ditë më parë në Francë.
Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Posaçme, sipas të cilave SPAK i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të nisë procedurat për ekstradimin e Beqirajt drejt Shqipërisë.
Kërkesës i është bashkëngjitur edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “arrest në burg”, pasi ai dyshohet për kryerjen e shtatë veprave penale.
Beqiraj u arrestua në Francë pasi u kap duke fluturuar me një avion privat mbi një central bërthamor, ndërsa më pas autoritetet shqiptare aktivizuan procedurat për kthimin e tij në Shqipëri.
Ndërkohë, dy ditë më parë, SPAK kërkoi sekuestrimin e disa pasurive të biznesmenit në Francë, të dyshuara me origjinë kriminale. Mes tyre janë llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, automjete dhe pasuri të tjera.
Ermal Beqiraj është nën hetim nga SPAK në kuadër të dosjes për abuzimet e dyshuara me tenderat e AKSHI-t. Ai akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe për vepra të lidhura me grupin e strukturuar kriminal.a.b





