Rama: Reforma territoriale është në konsultim publik, të gjithë do të dëgjohen
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” lidhur me debatin e krijuar për projektin e ri të Reformës Administrativo-Territoriale, duke theksuar se dokumenti ndodhet në fazën e konsultimit publik dhe se çdo qytetar apo institucion ka të drejtë të shprehë mendimin e tij.
Kreu i qeverisë u shpreh se procesi i konsultimit 60-ditor është parashikuar pikërisht për të mbledhur qëndrimet e të gjitha palëve, ndërsa shtoi se edhe kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë do të japin opinionet e tyre sipas procedurave ligjore.
Rama hodhi poshtë pretendimet se brenda Partisë Socialiste po pengohen zërat kundër reformës, duke theksuar se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim që kufizon lirinë e shprehjes për këtë çështje. Ai shtoi se vendimi përfundimtar do t’i takojë Kuvendit, pas përfundimit të procesit të konsultimit.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se gjatë këtyre 60 ditëve publiku do të informohet më gjerësisht mbi arsyet që kanë çuar në hartimin e propozimeve, duke theksuar se ato janë bazuar në kritere logjike dhe funksionale, e jo në argumente historike apo emocionale. a.b
POSTIMI I PLOTË I RAMËS/ Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrsisht e keqe për “regjimin”.
Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.
Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.
Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.
Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.
Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat.





