Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u shoqërua me akuza të forta të tij ndaj SPAK-ut, ndërsa në përfundim trupi gjykues vendosi për seancën tjetër më 10 shtator, në orën 11:00.
Gjatë seancës, Meta pretendoi se prokuroria ka manipuluar provat dhe ka ndërmarrë veprime të qëllimshme kundër tij. Ai deklaroi se është arrestuar më 21 tetor 2024 mbi bazën e një letërporosie të falsifikuar dhe tha se mbrojtja ka kërkuar thirrjen e disa dëshmitarëve, mes tyre edhe kryeministrin Edi Rama.
Ish-presidenti përmendi edhe ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, duke pretenduar se ai ka pasur rol në hetimet ndaj tij dhe se kjo, sipas Metës, është konfirmuar nga gjykatat amerikane. Ai tha gjithashtu se kallëzimi ndaj tij u bë më pas nga Rome Kara.
Meta kundërshtoi edhe administrimin e provave që lidhen me telefonat celularë të sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e tij, duke pretenduar se një prej telefonave të tij personalë është identifikuar gabimisht si telefon i Fatime Kryemadhit.
Duke folur për çështjen që lidhet me Adrian Shatkun, Meta mohoi të ketë pasur dijeni për veprimet e tij, ndërsa theksoi se, nëse do të ishte në dijeni, do të kishte ndërmarrë hapa institucionalë për ta parandaluar situatën.
Në përfundim, ish-presidenti deklaroi se ka qenë gjithmonë kundër monopoleve dhe se procesi ndaj tij po përdoret, sipas tij, për propagandë, ndërsa shprehu bindjen se gjykimi do të zbardhë të vërtetën. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 10 shtator. a.b





