Protesta kundër qeverisë ka vijuar edhe në ditën e 102-të, me qytetarët që pas fjalimeve para Kryeministrisë kanë nisur marshimin në rrugët dhe bulevardet e Tiranës.
Protestuesit kanë bllokuar disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, mes tyre kryqëzimin te Rruga e Elbasanit dhe atë që të çon në drejtim të Sheshit “Skënderbej”. Bllokimi i rrugëve është kthyer në një prej formave të reja të protestës, ndërsa marshimi ka vijuar në bulevardet e Tiranës.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët kanë bërë thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku. “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” ishin disa prej thirrjeve të protestuesve. Në pankarta shkruhej edhe “Bashkohuni studentë, kombi ju kërkon”.
Protesta e sotme është zhvilluar edhe në një klimë të tensionuar politike pas deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Një prej aktivistëve tha nga protesta se deklaratat e Ahmetajt, sipas tij, konfirmojnë shqetësimet e ngritura nga protestuesit gjatë këtyre ditëve.
“Ato që tha ish-zv.kryeministri tregojnë dhe vërtetojnë ato që kemi thënë; Shqipëria është në buzë të greminës. Jemi në Bulevardin e Lirisë, përballë kësaj ndërtese ku janë marrë vendime në kurriz të vendit tonë. Jemi këtu t’i themi, siç kemi thënë çdo ditë: ju erdhi fundi. Ju erdhi fundi”, deklaroi aktivisti.
Ai akuzoi kryeministrin se nuk respekton ligjet dhe paralajmëroi se protesta, sipas tij, do të sjellë zhvillime të reja politike.
“Protesta është këtu pikërisht përballë njeriut që nuk pyet për ligje. Siç e kam thënë dhe herë të shkuara, protesta do të prodhojë dinamika të reja, pasi do t’ia dalim me këtë protestë”, tha ai.
Në të njëjtën ditë, SPAK ka shtuar akuza të reja ndaj Ballukut dhe i ka sekuestruar edhe një tjetër vilë, fakt që është përmendur edhe nga protestuesit gjatë tubimit.m.k





