Arrestohet në Francë Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK
Autoritetet franceze kanë arrestuar në qytetin e Amiens shtetasin Ermal Beqiri, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila bën të ditur se arrestimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet dy strukturave.
Sipas autoriteteve shqiptare, ndaj Beqirit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Policia bën me dije se Beqiri u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim. Sipas njoftimit zyrtar, ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në kuadër të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Arrestimi i Beqirit vjen pas shpalljes së tij në kërkim nga SPAK, në kuadër të hetimeve për disa vepra të rënda penale që lidhen me krimin e organizuar, tenderat publikë dhe pastrimin e parave.a.b



