Protesta e 57-të radhazi para Kryeministrisë u shoqërua me thirrje të forta kundër qeverisë, ku protestuesit kërkuan arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Me sloganet “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun” dhe “Rama je non grata, shqiptarët nuk të duan”, qytetarët i bënë përgjegjës drejtuesit e qeverisë për varfërinë, korrupsionin dhe problemet ekonomike në vend.
Gjatë protestës foli edhe një aktivist, i cili kritikoi ashpër klasën politike, duke deklaruar se qytetarët nuk mund të pranojnë të qeverisen nga njerëz që, sipas tij, kanë dëmtuar interesin publik. Ai përmendi edhe rastin e ish-drejtoreshës së Postës, duke pretenduar se fondet e pensionistëve janë keqpërdorur, ndërsa akuzoi qeverinë për favorizim të oligarkëve, betonizim të vendit dhe përkeqësim të shërbimeve publike.
Aktivisti u ndal edhe te çështjet e pronës, mungesa e ilaçeve dhe pamundësia e të rinjve për të blerë një banesë, duke kërkuar largimin e qeverisë. Ai gjithashtu hodhi akuza politike ndaj Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke pretenduar se të dy kanë ndërtuar të njëjtin sistem qeverisjeje.
Protesta vijon para godinës së Kryeministrisë nën masa të shtuara sigurie, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e tubimeve edhe në ditët në vijim. a.b





