Ka marrë fund ngjarja e rëndë kriminale e ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Refit Buzi pasi vrau babanë e ish-gruas së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-gruan, dyshohet se i ka dhënë fund jetës.
Sipas Policisë së Shtetit, pas lirimit të 35-vjeçares falë ndërhyrjes së efektivëve, ekipi negociator i forcave speciale RENEA, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijoi për orë të tëra negociatat me autorin, me synim bindjen e tij për t’u dorëzuar.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve intensive që nisën që në orët e para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu përgjigj thirrjeve të Policisë. Rreth orës 16:35, ai dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit, njofton policia e Fierit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.m.k





