Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka dëshmuar këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në procesin që lidhet me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Gjatë dëshmisë së tij, Ruli u shpreh se në vitin 2005, kur drejtonte Ministrinë e Ekonomisë, institucioni kishte rol mbikëqyrës dhe koordinues në proceset e privatizimit, ndërsa një nga objektivat kryesorë të qeverisë së asaj kohe ishte mbrojtja e interesave të ish-pronarëve dhe garantimi i së drejtës së parablerjes për ta.
Ai deklaroi se privatizimi i klubeve sportive ishte një proces kompleks, ku përfshiheshin shumë institucione dhe ku duhej të merreshin në konsideratë pretendimet pronësore të palëve të ndryshme.
Duke iu referuar rastit të kompleksit “Partizani”, Ruli tha se kishte marrë informacion nga ish-pronarë dhe subjekte private se prona pretendohej si pronë private. Për këtë arsye, sipas tij, janë zhvilluar takime me të gjitha palët e interesuara për të dëgjuar pretendimet dhe qëndrimet e tyre.
Ish-ministri bëri të ditur se kishte komunikuar zyrtarisht me Ministrinë e Mbrojtjes, duke kërkuar inventarizimin e pronave shtetërore dhe sqarimin e statusit juridik të tyre. Sipas tij, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ishte ndër të parët që iu përgjigj kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë.
Ruli theksoi se procedurat e privatizimit shpesh vonoheshin për shkak të bashkëpunimit të vështirë mes institucioneve dhe mangësive administrative të kohës. Ai shtoi se ndryshimet e destinacionit të disa pronave nga pushteti vendor dhe koordinimi i kufizuar mes agjencive shtetërore ndikuan gjithashtu në zgjatjen e procesit.
“Qëllimi ynë ishte që privatizimi të zhvillohej duke respektuar interesat e pronarëve dhe në përputhje me dokumentacionin ligjor të disponueshëm në atë kohë”, deklaroi Ruli para trupit gjykues.a.b





