Nën drejtimin e kryeministrit dhe njëherazi kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, Kryesia e PS zhvilloi një mbledhje që zgjati rreth 30 minuta, me fokus kryesor organizimin e strukturave dhe nisjen e takimeve në terren.
Gjatë diskutimeve nuk u përcaktua një datë për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ndërsa drejtuesit u përqendruan te përforcimi i aktivitetit në bazat lokale dhe riorganizimi i strukturave partiake.
Në mbledhje ishte e pranishme edhe Belinda Balluku, e cila u shkarkua së fundmi nga detyra nga kryeministri. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar autorizim për arrestimin e saj, pasi ajo është vënë zyrtarisht nën akuzë për çështje që lidhen me tendera publikë.
Takimi i Kryesisë vjen pak ditë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, ku u njoftuan ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeveritar, përfshirë largimin e Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në takim Kryeministrin Rama në Pallatin e Brigadave. Gjatë takimit, që zgjati rreth 40 minuta, kreu i qeverisë paraqiti propozimet për shkarkimet dhe emërimet e reja në kabinet, të cilat iu dorëzuan Presidentit për dekretim.
Sipas procedurës kushtetuese, Kreu i Shtetit ka 7 ditë afat për dekretimin e ndryshimeve. Më pas, ato kalojnë për votim në Kuvend, ku kërkohen të paktën 71 vota për miratim. Pas votëbesimit parlamentar, ministrat e rinj betohen para Presidentit për të marrë zyrtarisht detyrën.





