Pesë shqiptarë janë arrestuar nga karabinierët e Milanos me akuzën e vrasjes së dy kushërinjve: Agron e Alban Lleshaj, më 10 nëntor 2016 në komunën italiane Canegrate, pjesë e provincës së Milanos.
Ndaj të arrestuarve, mes 25 dhe 39 vjeç (identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur) është vendosur nga gjykata e Busto Arsizio (Varese) masa e arrestit me burg, raportojnë sot mediat italiane. Tre nga personat e vënë në pranga janë vëllezër.
Trupat e pajetë të kushërinjve Lleshaj u gjetën brenda një makine të kthyer përmbys dhe të mbushur me plumba.
Sipas hetimeve, vrasja e dyfishtë ka ndodhur në kontekstin e një armiqësie për kontrollin e territorit nga grupe kriminale që operojnë në trafikun e drogës.
Pas një seri spostimesh mes qyteteve të ndryshme të Italisë Veriore, Shqipërisë e Belgjikës, në përpjekje për ti shpëtuar jo vetëm hetimeve, por edhe ligjeve të “Kanunit”, të dyshuarit janë arrestuar mes Altopascio (Lucca), Zagarolo (Roma), e Lier (Belgjikë), ku ishin vendosur.




