Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që ka nisur zbatimin e projektit pilot për varrezat murale, duke i dhënë zgjidhje problemit disavjeçar të mungesës së hapësirave. Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e varrezave të para murale për 438 vende të reja, por njëkohësisht ka nisur punën për rehabilitimin tërësor të varrezave të Sharrës dhe rindërtimin e rrugës kryesore dhe rrugicave.
Objekti është ndërtuar në forme “U”-je dhe siguron jo vetëm një shfrytëzim më të mirë të hapësirave, por edhe krijimin e mjediseve më të mira për vizitorët.
Fillimisht, projekti i varrezave murale do të pilotohet me zhvendosjen e varreve të ushtarëve të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të vijuar me varrezat mbi 40-vjeçare.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për lidhjen e varrezave të Sharrës me rrugët ekzistuese në Kombinat. Rrugët e parashikuara për t’iu nënshtruar rikonstruksionit do të mundësojnë aksesin për në “Sharrë”, e cila është një ndër varrezat kryesore të qytetit të Tiranës.




