Drejtuesve të Policive Vendore, që u shkarkuan nga detyra, u është propozuar detyra e specialistëve në sektorë të ndryshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Shumë prej ish-drejtuesve vendorë kanë refuzuar një propozim të tillë, duke e konsideruar si ulje në detyrë pa ndonjë motiv konkret, apo të paktën të arsyetuar me shkrim nga eprori i tyre.
Mes drejtuesve që kanë refuzuar një pozicion të tillë pune është edhe Ervin Hodaj, ish-drejtori i Policisë së Tiranës, që u zëvendësua nga Ardi Veliu, ditën që bëri dy vjet në krye të Policisë së Tiranës. Hodajt i është propozuar të drejtojë Sektorin e Sekretarisë dhe Protokollit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, detyrë që të paktën deri tani nuk e ka pranuar.
Në këto rrethana, disa prej ish-drejtorëve të Policive Vendore vijojnë të jenë në pritje të emërimit, por mbase edhe të ndonjë kërkese për plotësimin e ndonjë deklarate me shkrim, për të argumentuar arsyet e refuzimit të postit të propozuar.




