Një kufomë është gjetur rastësisht mëngjesin e së dielës në pyjet e Eupilio-s, mbi liqenin Segrino, në Como, teksa disa djem gërmonin për të pastruar sipërfaqen e pyllëzuar.
Sot, mediat lokale raportojnë se kufoma është identifikuar dhe i përket një shqiptari. Ai është Besnik Metaj, 39 vjeç, me precedentë të mëparshëm në Itali, raporton NSA.
Hetuesit bënë të mundur identifikimin e kufomës me anë të shenjave të gishtërinjve, pasi Metaj ka qenë në bankën e të regjistruarve të policisë italiane për çështje që lidhen me drogën dhe vrasje.
Hipoteza më e mundshme është se ai është varrosur në pyll, pasi është vrarë në një tjetër vend.
Sipas rezultateve të autopsisë, vdekja e shqiptarit ka ndodhur rreth një muaj më parë. Dhe është shkaktuar nga dy goditje me armë zjarri në kokë nga një distancë e afërt.
Kufoma e Metajt ishte plotësisht nudo, e varrosur në një pozicion fetusi, në një gropë rreth 20 cm të thellë, e mbuluar me gurë e gjethe.





