Dy ditë pas operacionit antikanabis të ndërmarrë nga policia e Shkodrës dhe forcat speciale, prokuroria ka zbardhur nga përgjimet disa prej kodeve që përdornin kryepleqtë e zonës së Dukagjinit gjatë vitit të kaluar me kultivuesit e kanabisit.
Mësohet se organi i akuzës ka rreth 10 faqe transkriptime, ku të dyshuarit komunikojnë me kode me njëri-tjetrin, si: “E hëngri ujku” dhe “theu këmbën”.
E ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të aktivitetit të grupit kriminal, dje Gjykata e Shkallës së Parë e Shkodrës ka zhvilluar një proces gjyqësor maratonë për vendosjen e masës së sigurisë për 18 personat që u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Early Spring”. Togat e zeza të qytetit verior vendosën masën e sigurisë “Arrest me burg” për 10 nga personat e vënë në pranga. Bëhet fjalë për shtetasit: Dritan Lisaj, kryeplak i fshatit Mgullë në Dukagjin; Ardian Loci, shofer i FNSH-së; Gjin Lushi, kryeplak në njësinë Pult të Dukagjinit; Nikolin Bashi, Mentor Bungaja, Emiljan Qeftaj, Rinaldi Qeftaj, Gjon Dresaj, Fatmir Ara dhe Dedë Koçeku, ky i fundit i dënuar më parë me 18.5 vite për një vrasje në vitin 1995. Ndërkohë, gjykata e qytetit verior ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike” për shtetasit: Mark Bashi, Benard Bungaja, Gjin Çakaj, Ndok Bregu, Ndoc Papshaj, Llesh Qeftaj, Nikë Qeftaj dhe Gjovalin Gravila. 18 personat e mësipërm ishin nën hetim prej më shumë se një viti nga policia dhe prokuroria e Shkodrës.
Të parët janë paraqitur përpara trupit gjykues kryepleqtë, Dritan Lisaj dhe Gjin Lushi, të cilët kanë mohuar akuzat dhe kanë deklaruar se janë të pafajshëm. Më pas është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj shoferit të FNSH-së, Ardian Loci, i cili ka shpërthyer në lot në gjykatë, ndërsa është shprehur se nuk ka dekonspiruar operacionet antikanabis të policisë.





