Zëri i Amerikës i ka kushtuar një koment të gjatë takimit që po zhvillohet në Tiranë mes Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe Kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesit të LSI-së Petrit Vasili.
Komenti u transmetua gjatë kohës që takimi zhvillohej.
“Takimi i sotëm vlerësohet si mundësia për t’i dhënë fund procesit të gjatë të Reformës në Drejtësi e për t’i hapur rrugë miratimit të saj në parlament. Prej më shumë se dy javësh, thuajse gjithshka ka mbetur pezull, pasi demokratët paraqitën propozime të reja, duke kërkuar thjeshtimin e arkitekturës së sistemit, ndërsa po ashtu çështja e emërimeve nga ana e parlamentit ishte ende në pritje të përzgjedhjes së formulave nga palët. Ndonëse kishin mbështetur pa rezerva tekstin e rishikuar mbi bazën e rekomandimeve të Komsionit të Venecias, nga ana e ekspertëve të tyre të OPDAT-it dhe EURALIUS-it, javën e shkuar, në përpjekje për të afruar qëndrimet e palëve, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e delegacionit të Komisionit europian Romana Vlahutin, paraqitën një variant të ri, ku sugjerohej shkurtimi i dy institucioneve të reja të parashikuara fillimisht si dhe votimi me dy tretat, deri në zgjedhjet e ardhshme, për emërimet në institucionet e Drejtësisë. Socialistët duket se janë të gatshëm t’i pranojnë këto propozime dhe dakortësinë për çështjen e dy të tretave e njoftoi publikisht kryeministri Rama, por opozita tani po këmbëngul për variantin e vendeve të rezervuara, që do të thotë emërime sipas vendeve që ndahen mes shumicës dhe opozitës. Ky variant nuk duket i preferuar për shumicën, pasi sipas saj do t’i jepte një ngjyrim të theksuar politik kandidatëve. Kjo duket të jetë dhe pika kryesore e cila po mban varur fatet e Reformës.
Sot ambasadori amerikan Donald Lu pati një tjetër takim me kryetarin demokrat Lulzim Basha. Javën e shkuar zoti Basha mori një telefonatë dhe nga ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Europën dhe Euroazinë Victoria Nuland e cila theksoi se udhëheqësit politik shqiptar duhet ta përdorin takimin e sotëm “për të rënë dakort për miratimin e shpejtë të një reformë kuptimplotë dhe tërësore në Drejtësi”, ndërsa theksonte se kjo Reformë “mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”. Në fakt dhe trysnia nga Brukseli nuk ka qenë më e pakët. Pas komisionerit për Politikat e fqinjësisë Johannes Hahn, dje edhe përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit europian, Federica Mogherini e cilësoi reformën si mundësinë për hapjen e një kapitulli të ri për Shqipërinë. Zonja Mogherini ishte e drejtpërdrejtë kur theksonte në deklaratën e saj se “propozimi ligjor që ndodhet tashmë para Kuvendit pasqyron rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe përputhet plotësisht me standartet evropiane”. Përfaqësuesja e Lartë europiane saktësonte gjithashtu se “është thelbësore që ky propozim të miratohet një shumicë prej 2/3 që kërkohet. Bëhet fjalë për një votë për të cilën çdo deputet i Kuvendit, i cilitdo grupimi politik, mban përgjegjësi të veçantë”. Ashtu si dhe Uashingtoni edhe Brukseli nënvizon se pret që takimi i sotëm të cojë në miratimin e Reformës.
Por bisedimet për Drejtësinë mund të kushtëzohen fort edhe nga cështja e Refromës zgjedhore, të cilën opozita po e rendit gjithnjë e më tepër si përparësinë e saj absolute, ndërsa këmbëngul në një process ku të garantohet votimi dhe numërimi elektronik”, thuhet në komentin e Zërit të Amerikës.





