Qeveria ka bërë një ndryshim në vendimin për dietat që lidhen me shërbime të administratës publike larg vendit të punës.
Dy javë pas publikimit të vendimit, punonjësit që do të kryejnë detyra mbi 50-100 km larg qendrës së punës do të trajtohen financiarisht ndryshe nga vendimi i mëparshëm që njihte vetëm shpenzimet e transportit. Po ashtu edhe llogaritja e ditës së shërbimit ndryshon tërësisht në rastin e vajtjes dhe ardhjes brenda ditës. Ajo nuk do të jetë më gjysëm diete por dietë e plotë.
Ja vendimi:
Trajtimi financiar i punonjësve për përballimin e shpenzimeve të shërbimit bëhet i diferencuar, sipas distancës së shërbimit nga qendra e punës, si më poshtë vijon:
1. Për shërbime në një largësi deri në 50 km jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin vetëm shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni.
Përjashtohen nga ky rregull:
a) punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, kur marrin pjesë në shërbime operacionale;
b) punonjësit e Qendrës së Shërbimit Mjekësor (klinika qeveritare), kur shoqërojnë personalitete të larta të vendit;
c) anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, kur ushtrojnë veprimtarinë pranë këtij kolegji, gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare apo vendore;
ç) personeli ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i cili angazhohet në procesin e eleminimit të kimikateve stoqe në strukturat e këtyre forcave, si dhe kur merr pjesë në shërbime operacionale specifike.
2. Për shërbime në një largësi mbi 50 km jashtë qendrës së punës, kur punonjësi kthehet brenda ditës, trajtimi financiar i tij përfshin dietën ditore, në masën 500 (pesëqind) lekë në ditë, si dhe shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni. Përjashtohen nga ky rregull punonjësit që dërgohen për shërbime në një largësi mbi 50 km, jashtë qendrës së punës, dhe që zgjatin mbi tri ditë pune, në bazë të programit të miratuar nga titullari apo zyrtari përgjegjës që autorizon shërbimin, sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi.
3. Për shërbime në një largësi mbi 100 km, jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin:
a) dietën ditore, e cila, për çdo punonjës të dërguar me shërbim, llogaritet në masën, si më poshtë vijon:
i. 1 000 (një mijë) lekë në ditë, kur punonjësi kthehet brenda ditës;
ii. 10 për qind të pagës mujore, por jo më shumë se 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, kur shërbimi zgjat më shumë se një ditë. Për efekt të llogaritjes së dietës, në këtë rast, data e nisjes dhe ajo e kthimit llogariten një ditë e plotë.
b) shpenzimet e fjetjes, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, të paraqitur nga hoteli dhe të shoqëruar me faturën e printuar nga kasa elektronike fiskale, por jo më shumë se 3 000 (tre mijë) lekë për çdo natë;
c) shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni.
4. Në çdo rast, kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni, shpenzimet e transportit do të njihen kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifa përkatëse, sipas distancës kilometrike të linjës, e miratuar në vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për tarifat e transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar.”





