PS dhe PD nuk arritën konsensus sot për miratimin e një dokumenti të përbashkët i cili mundësonte zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se nuk mund të pranohet formulari i PS-së pasi ai lejon futjen e zyrtarëve të inkriminuar në politikë dhe administratë. Ai akuzoi mazhorancës se PS po prish konsensusin dhe po vonon me qëllim zbatimin e ligjit që largon apo pengon të inkriminuarit të hyjnë në politikë.
Deputetë të PD dhe PS janë mbledhur sërish sot në Këshillin e Mandateve për ti dhënë rrugë zbatimit të ligjit pas disa orësh takim që u zhvillua mbasditen e së enjtes.
“Nuk ka dakordësi për aktet që janë detyrim të votohen nesër. Projektvendimi është i pavotueshëm pasi e ka kopjuar nga PD duke hequr pjesë themelore të atij projekti.
Po ashtu nuk ka dakordësi për formularin e deklarimit. Në propozojmë një formular sipas eksperiencës së dhënë nga ekspertët e FBI ndërsa ajo që ofron PS lë shteg që të shpëtojnë personat e inkriminuar”, shpjegoi deputeti i opozitës, Oerd Bylykbashi mbrëmjen e djeshme.
Jemi përpara një situatë të rëndë, tha ai.
Deklarata e Oerd Bylykbashkit:
“Ajo që po ndodh, deri mbrëmë por vazhdon dhe sot, janë përpjekje të mazhorancës që konsensusi i 21 Dhjetorit të prishet. Eshtë detyrim i Parlamentit të miratojë pikë për pikë atë që kërkon ligji dhe pikë për pikë jo vetëm gërmat, por dhe frymën e ligjit. Formulari i vetëdeklarimit që ofron PD i jep mundësinë Ligjit të dekriminalizimit që të zbatohet plotësisht. Ajo që kërkon PS është që nëpërmjet formularit të propozuar prej saj, të cungojë thelbësisht mundësinë e prokurorisë dhe organeve kompetente që të kërkojnë çdo të dhënë, të hetojnë çdo të dhënë të personave që kanë rekorde kriminale dhe qëllimi është vetëm një, që kriminelët që janë sot në politike dhe në administratë të shpëtojnë dhe në të ardhmen të kenë mundësinë përsëri të përsërisin atë që kanë bërë nga viti 2013 e këtej. Ne nuk pranojmë në asnjë rast që nëpërmjet një instrumenti si formulari që paraqet PS, kriminelët të kenë rastin përsëri të livadhisin në politikë apo administratë. E vetmja mundësi është që duke pranuar formularin që ofron PD i cili është plotëisht në përputhje me ekspertizën më të mirë të ofruar nga ekspertët e FBI dhe që zbaton jo vetëm në germë, por ligjit të dekriminalizimit i jep mundësinë të marrë dhe të shoshisë çdo lloj të dhëne me karakter penal që kanë politikanët, drejtuesit e lartë apo administrate, dhe kush gjendet më pas në kushtet e ndalimit të ligjit të largohet.
Formulari është vetëm instrumenti që do të mbledhë të dhëna nuk është instrumenti për zbatimin e ligjit siç kërkon ta qasë mazhoranca. Formulari është kurthi, ku kriminelët duhet të ngecin dhe jo të përdoret si instrumenti për tu shmangur nga zbatimi i ligjit. Këtë kanë bërë deri dje në darkë, sot mbetet akoma dhe pak hapësirë për ta parë nëse mazhoranca do të tërhiqet.
Mos harroni që dje qe një tentativë e turpshme nëpërmjet një instrumenti të përdorur nga stafi i Kuvendit për ta quajtur ligjin antikushtetues, tentativë e pastër për të rrënuar zbatimin e ligjit, për ta vonuar atë. Por gjithashtu, një gjë me shumë rëndësi është që nëse ne nuk i japim zgjidhje fenomenit që deputeti Prenga ilustron, pra duke pranuar Parlamenti amendamentin e PD, kjo kategori e rrezikshme duhet të largohet nëpërmjet ligjit të dekriminalizimit pra vetëm me ligj dhe jo me vullnete individuale, sigurisht atëherë nuk kemi zgjidhje. Pra të dyja janë shumë të rëndësishme: miratimi i amendamente që kërkojmë ne dhe nga ana tjetër zbatimi i plotë pa asnjë lloj shtegu të lirë për kriminelët i ligjit të dekriminalizimit. Kjo arrihet duke pranuar proprozimin e detajuar që ka ofruar PD. Çdo lloj tentative tjetër është zvarritje dhe minim i ligjit. Nuk ka asnjë hapësire tjetër. Po ju them nëse vazhdohet me atë që u bë dje, sigurisht që nuk do të kemi asnjë lloj zgjidhje. Ajo që ndodhi dje është vetëm një zvarritje për të marrë kohë por kohë nuk ka më”.





