Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në Kavajë, pas ndërhyrjes në kohë të Policisë, e cila arrestoi një 47-vjeçar që dyshohet se ishte nisur i armatosur drejt një hoteli në zonën e Malit të Robit, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij 18-vjeçar.
47-vjeçari, i identifikuar si Melison Nela, banues në Kavajë, u kap me një armë zjarri automatik kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Ngjarja nisi pas një konflikti në një hotel në zonën e Malit të Robit, Golem, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Stacionit të Policisë Golem ndërhynë pas marrjes së njoftimit.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se Florian Habilaj, së bashku me Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe M. M., kanë dhunuar 18-vjeçarin Genti Nela, i cili punonte si kamerier në lokalin e hotelit dhe është nipi i 47-vjeçarit Melison Nela. Sipas Policisë, konflikti kishte nisur për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer.
18-vjeçari ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë hetimeve, Policia mori informacion në rrugë operative se xhaxhai i 18-vjeçarit, Melison Nela ishte armatosur dhe po udhëtonte drejt hotelit, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë dhe ndaluan automjetin e 47-vjeçarit në afërsi të hotelit. Gjatë kontrollit të automjetit, në një çantë shpine u gjetën kallashnikovi, tre karikatorët dhe 84 fishekët luftarakë.
Ndërkohë, nga veprimet hetimore është konstatuar se vendi i ngjarjes ishte pastruar. Gjithashtu, ishte hequr DVR-ja e kamerave të sigurisë dhe ishin prerë kabllot e tyre.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia arrestoi në flagrancë Florian Habilwj 28 vjeç, dhe E. Dragoti, 20 vjeç, banues në Kavajë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim A. F., 36 vjeç, ndërsa M. M., 36 vjeç, u procedua në gjendje të lirë.
Në pranga përfundoi edhe Melison Nela 47 vjeç, i cili u kap i armatosur në automjet.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.a.b





