Maturantët e këtij viti janë ende të pa informuar për Maturën Shtetërore. Edhe pse jemi në mesin e muajit dhjetor, pra afër mbarimit të semestrit të parë, Ministria e Arsimit ende nuk ka miratuar dhe bërë publik udhëzimin për Maturën Shtetërore dhe formën e aplikimit në universitetet publike.
Ndërkohë që, ata që e pësojnë janë maturantët, të cilëve në fillim të vitit iu është thënë se Matura Shtetërore do jetë vetëm një provim dalës nga gjimnazi dhe jo hyrës në universitet si ka qenë që prej vitit 2006. Edhe pse, nëpër gjimnazet e Tiranës ditët e fundit ka filluar të qarkullojë një tjetër “njoftim gojor”i MAS-it, se edhe këtë vit matura do mbetet e pandryshuar.
Por Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj ka thënë se ende nuk është përcaktuar zyrtarisht se çfarë do bëhet. Por sipas saj, provimet e maturës edhe këtë vit do të jetë 5 provime, tri me detyrim dhe dy me zgjedhje, ndërkohë që javën që vjen pritet të zhvillohet një takim me drejtuesit e universiteteve publike në vend, për të përcaktuar detajet përfundimtare dhe kriteret shtesë të pranimit që duan universitetet.
“Asnjë lloj ndryshim nuk ka. Do jenë 5 provime: tri me detyrim, dy me zgjedhje. Nota mesatare nuk do të sjellë ndryshime. Komisioni i maturës ka bërë një mbledhje; javën që vjen do ketë takim me rektorët e universiteteve publike për të përcaktuar detajet përfundimtare” tha Nora Malaj.
Ndërkohë që, sipas ligjit të ri të arsimit të lartë, në nenin 74 të tij, theksohet se kriter për pranimin në ciklin e parë të studimeve është nota mesatare, e cila përcaktohet çdo vit me VKM.




