Një punonjës policie është vënë në pranga pasi dyshohet se informonte trafikantët e kanabisit për operacionet e policisë.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë kanë ndaluar punonjësin e Policisë N/Komisar Shpëtim Kripa, 32 vjeç, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë së Delvinës.
Ndalimi u krye pas një hetimi me metoda speciale për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Dyshohet se ky punonjës policie në disa raste ka bashkëpunuar me shtetas të dyshuar për veprat penale të kultivimit, magazinimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në zonën e Sarandës dhe Delvinës. 32-vjeçari dyshohet se u jepte këtyre personave informacion mbi veprimet policore që kryheshin në kuadër të luftës kundër lëndëve narkotike.
Vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse ka punonjës të tjerë të Policisë të përfshirë në këtë aktivitet.
SHÇBA fton qytetarët që për çdo rast që kanë dijeni apo konstatojnë se punonjësit e Policisë e Shtetit kryejnë veprime të kundërligjshme të telefonojnë në numrin pa pagese 0800 90 90.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/