KLSh flet për sigurinë e ushqimeve: Ja shkeljet e bëra nga AKU

KLSh flet për sigurinë e ushqimeve: Ja shkeljet e bëra nga AKU

177
0
Shares

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 29/1, datë 10.04.2017 ka përfunduar auditimin e performancës “Siguria Ushqimore” në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), për periudhën Janar 2012 – Dhjetor 2016 të aktivitetit të këtij institucioni. Me Vendimin nr. 94, datë 31.07.2017 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, duke i rekomanduar AKU me shkresën nr. 29/6 prot., datë 07.08.2017 dhe Ministrisë së Bujqësisë me shkresën nr. 29/7 prot., datë 07.08.2017 përkatësisht 29 dhe 12 masa organizative për përmirësimin e gjendjes, me afat zbatimi 2017 dhe fillim-vitin 2018.

Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë cenuar sigurinë ushqimore dhe për pasojë jetën ekonomike dhe sociale në vend, me një ndikim të rëndësishëm në uljen e besimit të konsumatorëve.

1. Mbi kuadrin legjislativ për sigurinë ushqimore:

– Përgjegjësitë ligjore në zinxhirin e sigurisë ushqimore, karakterizohen nga dublime, shmangie dhe mos-eficencë, me pasojë dobësim të strukturave që ndikojnë në mirëqenien social-ekonomike të qytetarëve shqiptarë, të evidentuara në ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin” i ndryshuar, ligji nr. 10465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ligjin nr. 7643, datë 2.12.1992 “Për inspektoratin sanitar shtetëror” i ndryshuar.

– Ligji “Për Ushqimin” në vetvete ka raste që nuk përcakton qartë elementë të veçantë dhe të rëndësishëm të sigurisë ushqimore, siç është rasti i kërkesave për sistemin e vetëkontrollit në operatorët e biznesit ushqimor.

– Këshilli i Ministrave, 9 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit për ushqimin, nuk ka nxjerrë aktet nënligjore për 7 prej tyre nga 12 gjithsej si dhe qeveria nuk ka arritur objektivat e saj afat shkurtra të përcaktuara deri në fund të vitit 2015 për plotësimin e legjislacionit në të gjithë zinxhirin ushqimor në fushën e sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve, si dhe harmonizimin e tij me kuadrin rregullator evropian, për hartimin e 20 akteve nënligjore, ndërsa Ministria e Bujqësisë nuk ka nxjerrë akoma aktet nënligjore për 13 nga 25 prej tyre ose 52 % të kërkesave të ligjit për ushqimin.

2 Në lidhje me funksionimin e strukturave përbërëse të AKU:

– AKU zhvillon aktivitetin e tij pa pasur të miratuar Rregulloren e brendshme që nga fillimi i veprimtarisë së tij në maj 2010, në kundërshtim me ligjin për ushqimin dhe VKM për organizmin dhe funksionimin e saj.

– AKU ka zhvilluar aktivitetin e vet pa u mbikëqyrur nga bordi për çështje shumë të rëndësishme si: pa miratuar objektivat strategjikë dhe planet e punës, pa miratuar projekt-buxhetin, pa analizuar raportin vjetor të vlerësimit të veprimtarisë, pa miratuar kriteret e punësimit apo dhe projektplanin e menaxhimit të krizave si dhe me raportim të kufizuar Ministrit të Bujqësisë, si rezultat i mos- funksionimit të bordit.

– Ka pasur lëvizje të shpeshta të Drejtorëve të përgjithshëm të AKU-së; pas vitit 2016 Ministri i Bujqësisë ka propozuar dhe Kryeministri ka emëruar në dy raste Drejtorin e Përgjithshëm në mungesë të plotësimit të kritereve të vendosura për përvojën në punë në administratën shtetërore më pak se 5 vjet, në kundërshtim me VKM nr. 173, datë 7.3.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose të Ministrit”, duke ndikuar negativisht në performancën e AKU në tërësi.

– Ka munguar veprimtaria e mirëfilltë e AKU-s për analizën e riskut në nivel drejtorie, sektori dhe specialistësh, duke ulur performancën e veprimtarisë inspektuese dhe për pasojë ndikimin në përmirësimin e sigurisë ushqimore.

– AKU nuk disponon të dhëna mbi listën e operatorëve të biznesit ushqimor të regjistruara me TVSH të cilët kanë të detyrueshme licencimin, duke rrezikuar zhvillimin e aktivitetit jo në përputhje me ligjin për ushqimin dhe për pasojë cenimin e sigurisë ushqimore në vend.

3. Mbi efektivitetin e menaxhimit të burimeve njerëzore:

– AKU për periudhën shkurt 2014 prill 2016 ka pasur 21 pozicione pune të lira, të cilat përbëjnë 5 % të punonjësve gjithsej, si dhe 12 punonjës me emërim të përkohshëm, pas hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil, duke munguar plotësisht ose pjesërisht performanca e një numri të konsiderueshëm specialistësh, duke ndikuar negativisht në përmirësimin e sigurisë ushqimore në vend.

– Në AKU ka pasur lëvizje të shpeshta të drejtorëve të drejtorive dhe përgjegjësve të sektorëve në Drejtorinë e përgjithshme, si dhe drejtorëve rajonalë, kryesisht pas vitit 2013.

– Ministri i Bujqësisë, në kundërshtim me ligjin për nëpunësin civil, ka ndërhyrë në dy raste: për lëvizjen dhe emërimin e Drejtorit rajonal të AKU Tiranë që në prill 2016, si dhe të kalimit pranë kabinetit të tij të Përgjegjësi të Sektorit të marrëdhënieve me publikun dhe ndërgjegjësimin e konsumatorit që nga tetori 2016, ndryshime të cilat vazhdojnë dhe aktualisht.

– Drejtori i Përgjithshëm i AKU ka emëruar Drejtorin Rajonal të AKU Vlorë që nga shtatori 2016, si dhe 20 emërime të tjera gjithsej të bazuar në Kodin e Punës, nga të cilat 7 në Drejtorinë e përgjithshme dhe 13 në Drejtoritë rajonale, në kundërshtim me ligjin nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”.

– AKU është karakterizuar me largime nga puna, të cilat kulmojnë në vitin 2014 me ikjen e afër 33 % të të gjithë stafit dhe specialistëve (gjithsej 137 persona) dhe bashkë me të dhe të kualiteteve të trajnuara, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve pa shkaqe të përligjura, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit nga pagesat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mbi 78 milion lekë për të gjithë periudhën e audituar 2012-2016.

– AKU, në periudhën e audituar 2012-2016, ka ndryshuar raportin midis specialistëve në qendër dhe inspektorëve në rajone, në dëm të këtyre të fundit, duke i zvogëluar në vitin 2014 me 13 inspektorë.

– AKU nuk ka një shpërndarje racionale të subjekteve për inspektor sipas sektorëve në shkallë vendi, pasi sektori i mbrojtjes së bimëve ka 33 subjekte inspektimi për inspektor, 69 subjekte inspektorët e sektorit me origjine shtazore dhe 151subjekte për inspektor në sektorin e inspektimit të ushqimeve dhe operatorëve të biznesit ushqimor joshtazor.

– Sipas strukturës dhe organikës aktuale, AKU ka shpërpjesëtime të konsiderueshme të numrit të inspektorëve midis rajoneve dhe sektorëve brenda tyre lidhur me ngarkesën e subjekteve për inspektim, pasi, p.sh për sektorin OJSH, inspektorët e Beratit duhet të inspektojnë pesëfishin e subjekteve të Kukësit; sektori i inspektimit të operatorëve ushqimor me origjinë shtazore të rajonit të Gjirokastrës kanë ngarkesën më të ulët prej 44 subjektesh nga 75 mesatarisht në shkallë vendi. Nëse konsiderohen të përafërta kushtet e tjera dhe shpërndarja e inspektorëve të bëhej mbi bazën e përqindjes së numrit të subjekteve të regjistruara sipas tre sektorëve të mësipërm, rezulton se në rajonin e Durrësit janë 7 inspektorë më shumë se ky

raport, si dhe nga 6 inspektorë në Gjirokastër dhe në Kukës, pothuajse 10 % e numrit gjithsej.

– Për vitet 2015 dhe 2016, konstatohet se AKU në Qafë Morinë Tropojë (Kukës), Gorricë (Korçë) dhe Shëngjin (Lezhë) nuk është kryer asnjë lloj importi, eksporti apo transiti të produkteve ushqimore.

4. Mbi ndikimin e inspektimit në përmirësimin e nivelit të sigurisë ushqimore:

– Sipas ligjit për ushqimin, objekt i kontrollit zyrtar nga ana e AKU janë operatorët e biznesit të regjistruar për të kryer veprimtari, që lidhen me biznesin e ushqimit, duke i bërë të pafuqishëm ndaj bizneseve informale të kësaj fushe, dhe kërcënim serioz ndaj sigurisë ushqimore, duke ditur që informaliteti vlerësohet të jetë mesatarisht 36 %.

– Mungesa e përfshirjes në programin e inspektimeve nga AKU të bizneseve të reja ushqimore që krijohen gjatë vitit, ndikon në sigurinë ushqimore, duke theksuar se vetëm në vitin 2015 janë regjistruar 56,787 ndërmarrje, nga të cilat 17 % të tyre e përbëjnë akomodimi dhe shërbimi ushqimor,të cilat rrjedhimisht përbëjnë risk ushqimor.

– AKU nuk ka një numër të saktë të operatorëve të biznesit ushqimor në rajone të cilat janë objekt inspektimi, pasi ka shpërpjesëtime të theksuara midis rajoneve të këtij biznesi ndaj numrit gjithsej. Kështu, në vitin 2015 nëse në DRAKU Gjirokastër, Kukës Berat e Dibër janë objekt inspektimi 25 – 31 % e subjekteve në totale, në Tiranë dhe në Durrës janë vetëm 9 – 10 % e tyre, për më tepër që në këto dy rajone zhvillohet afër gjysma e biznesit në Shqipëri. Veç kësaj, sipas INSTAT në fund të vitit 2015, vetëm ndërmarrje aktive të prodhimit bimor dhe shtazor, gjuetia dhe shërbime të lidhura me to, peshkimi dhe akuakultura, përpunimi i produkteve ushqimore, prodhimi i pijeve janë 25,072 subjekte, në një kohë që AKU ka të regjistruara 4,206 subjekte më pak.

5. Mbi efektivitetin e inspektimeve të ushqimeve të importuara:

– Urdhri i Ministrit të Bujqësisë nr. 72, datë 15.03.2011, “Për miratimin e Akt-Kontrollit “Mbi inspektimin e produkteve ushqimore me origjinë joshtazore në pikat e inspektimit kufitar dhe lejimin për kryerjen e veprimeve të mëtejshme në zhdoganimin e tyre” ka shfaqur probleme gjatë zbatimit në praktikë, lidhur me përcaktimin për dokumentet shoqëruese të produktit ushqimor si “Certifikata e cilësisë” dhe “Faturë doganore”.

– Shqipëria është dhe vazhdon të jetë një vend importues me vëllim të konsiderueshëm të produkteve ushqimore, çka e bën marrjen e mostrave një element shumë të rëndësishëm të inspektimit në PIK i lidhur me sigurinë ushqimore në vend. Megjithëse marrja e mostrave kryhet sipas planit dhe/ose në varësi të gjykimit të inspektorit, AKU nuk ka një përshtatje në numër dhe të profesioneve me origjinën e produkteve të importuara. Kështu, 6 zooteknikë (Durrës, Korçë, Gjirokastër, Kukës dhe Vlorë) duhet të inspektojnë mishin, gjënë e gjallë dhe produktet e tjera me origjinë shtazore; ose mësuesi i bio-kimisë apo të kimisë industriale duhet të inspektojnë mallrat e importuara joshtazore në Hanin e Hotit, Durrës, Vlorë dhe Kakavijë; në Bllatë (Dibër) inspektori veterinar ka kontrolluar për vitin 2016 vetëm 4 praktika të produkteve me origjinë shtazore; në Gjirokastër janë 2 inspektorë për produktet me origjinë joshtazore, kur për numrin e praktikave që hyjnë në PIK Kakavijë duhet të jetë dyfishi i tyre, si dhe janë 3 veterinerë që kontrollojnë gjysmën e praktikave të mallrave me origjinë joshtazore; e njëjta gjë konstatohet dhe për pikat e kalimit kufitar të Morinit, Qafë Thanë dhe Kapshticë. Mungesa e shpërndarjes së drejtë të numrit dhe profesioneve të inspektorëve sipas origjinës së produkteve të importuara ul ndjeshëm performancën e inspektorëve dhe për pasojë ndikon sigurinë ushqimore.

– Marrja e mostrave në PIK për vitin 2015 është tejkaluar 48 %, ndërsa në 2016 nga 4,333 mostra, të planifikuara janë marrë 2,973 ose 69 % e numrit gjithsej, me diferencë më të madhe tek sektori OJSH. Sipas shpjegimeve të AKU ka ardhur kryesisht nga mungesa e reagentëve për kryerjen e analizave, por sipas auditimit në shfaq mangësi të planifikimit, pasi shpjegimi i një planifikimi dhe realizimi të tillë të çon në arsyetimin se afër 1/3 e produkteve të hyra në Shqipëri nuk janë monitoruar, duke rrezikuar sigurinë ushqimore në vend.

– Në përgjithësi në të gjitha PIK mungon infrastruktura e domosdoshme për të garantuar siguri dhe besueshmëri në rezultatet e analizave të mostrave, pasi mungojnë pajisjet e nevojshme të inspektorit për marrjen, mbajtjen dhe transportimin e mostrës; mungesa e ambienteve të përshtatshme në PIK për mbajtjen e mallit të bllokuar deri në daljen e rezultatit të analizave.

– Inspektorët e PIK nuk kanë dijeni mbi listën e laboratorëve të certifikuar për mallrat ushqimore të importuara, mbi bazën e të cilëve duhet të paraqitet raport-analiza e kryer në vendet e origjinës.

6. Mbi ndikimin e inspektimeve për produktet ushqimore në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve:

– AKU, në periudhën 2012-2016, ka kryer inspektime me ndryshime të theksuara në sasi nga viti në vit, gjë që tregon se jo vetëm që nuk ka planifikim inspektimesh në bazë risku, por gjithashtu mungesë monitorimi dhe nuk ka prirje të rritjes së numrit të inspektimeve, për të ndjekur ritmet e zhvillimit të biznesit.

– Luhatjet më të theksuara të inspektimeve vjetore vërehen veçanërisht në sektorët për produktet me origjinë shtazore dhe joshtazore, pikërisht në dy sektorët me riskun më të lartë në sigurinë ushqimore.

– AKU nuk është kujdesur që të ketë një numër të përafërt të inspektimeve mesatare mujore gjatë vitit, duke ja lënë fushatave dhe spontanitetit, e cila jo vetëm që ndikon në cilësinë e tyre, por ka ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e sigurisë ushqimore në vend.

– Nga shqyrtimi i numrit të inspektimeve për inspektor në vitin 2016, konstatohet se ka diferenca të theksuara midis rajoneve. Në se mesatarisht një inspektor i AKU ka kryer 176 inspektime (përafërsisht 1 inspektim çdo 2 kalendarike), pesë inspektorë në rajone janë nën këtë mesatare, më e theksuar kjo në Gjirokastër (117), Vlorë (134) dhe Kukës (143).

– Në strukturën e masave administrative ulet numri i pezullim/bllokimeve, dyfishohet numri i gjobave, dhe janë me rritje të theksuar të numrit të paralajmërimeve, duke demonstruar jo vetëm ulje të cilësisë së inspektimit, si rezultat i njohjes së përciptë të ligjit bazë të sigurisë ushqimore të harmonizuar me atë të inspektimit, dhe i mangësive të kapaciteteve inspektuese.

– Janë vështirësuar procedurat e inspektimeve me ndarjen e sektorit të inspektimit të ushqimit në sektorin e inspektimit me origjinë jo shtazore dhe në atë me origjinë shtazore, pasi në operatorët e biznesit ushqimor, të cilët prodhojnë, përpunojnë, shpërndajnë dhe tregtojnë produkte me origjinë shtazore, përdoren ose tregtohen edhe produkte me origjinë jo shtazore të tilla si aditivët, ngjyruesit ushqimorë, uji, konservantët, stabilizantët, emulsionet, të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme e proceseve teknologjike.

– AKU nuk ka arritur të ketë numrin e inspektorëve të përcaktuar në organikë për 8 persona, duke ndikuar në një numër më të vogël inspektimesh dhe për pasojë në sigurinë ushqimore, që në këtë mangësi përfshihet dhe Departamenti i Administratës Publike.

– Ka një numër të konsiderueshëm inspektorësh, profesioni i të cilëve nuk ka lidhje me fushën e sigurisë ushqimore që ata kanë objekt kontrolli: janë 15 inspektorë zooteknikë, madje edhe në sektorin OJSH (si Dibër, Fier, Gjirokastër, Tiranë) dhe atë të mbrojtjes së bimëve në rajonin e Gjirokastrës; në sektorin e mbrojtjes së bimëve janë inspektorë që kanë formim profesional për bio-kimi (2) në Dibër dhe Shkodër apo inxhinier pyjor në këtë sektor në Lezhë etj., duke ulur ndjeshëm cilësinë e inspektimeve dhe për pasojë nuk jep ndikimin e pritur në përmirësimin e sigurisë ushqimore në vend.

– Inspektorët në AKU rezulton se kanë pasur trajnime sporadike, si dhe kanë munguar kryesisht dhe veçanërisht temat për inspektimin dhe inspektorët nuk i janë nënshtruar testimit profesional fillestar.

– Inspektorëve të AKU në rajone ju mungojnë mjetet e transportit, pajiset e domosdoshme për ruajtjen dhe transportimin e mostrave, si dhe mbështetja me analiza laboratorike për çdo rajon, duke ulur ndjeshëm efektivitetin dhe pritshmërinë e veprimtarisë inspektuese në përmirësimin e sigurisë ushqimore.

7. Mbi efektivitetin e penalizimeve të subjekteve për të rritur nivelin e sigurisë ushqimore:

– AKU nuk ka pasur bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim të veprimtarisë së sektorëve në Drejtorinë e Përgjithshme dhe me rajonet për çështjen e gjobave, pasi rezultojnë diferenca te theksuara në numrin dhe vlerën e gjobave.

– AKU nuk ka pasur një ndëshkim vijues të veprimtarisë së operatorëve të biznesit ushqimor në kundërshtim me ligjin, pasi numri i gjobave ka luhatje nga viti në vit. Veç kësaj, megjithëse numri i gjobave është rritur pothuajse tre herë, vlera e tyre as nuk është dyfishuar, gjë që tregon se inspektorët janë të prirur drejt një kompromisi me subjektet në dëm të zbatimit të ligjit për ushqimin dhe për pasojë dhe në sigurinë ushqimore nga vendosja e gjobave minimale.

– Komisioni i ankimit në AKU nuk ka miratuar metodikën apo parime të tjera shtesë, mbi të cilat duhet të mbështetet inspektori për përcaktimin e vlerës së gjobës, për rastet kur gjobat janë në vlera minimale deri në ato maksimale.

– AKU nuk ka bërë publik komisionin e ankimit me mjete të përshtatshme siç kërkohet ligjërisht, duke e kthyer këtë në një veprimtari jo transparente dhe subjektive, e cila ndikon ndjeshëm për rritjen e nivelit të sigurisë ushqimore

– AKU dhe kryesisht Sektori juridik, nuk ka sistemuar dokumentacionin për gjobat e ankimuara, nuk i ka plotësuar rregullisht dosjet përkatëse, nuk ka protokoll të mbledhjeve të komisionit, në përgjithësi nuk janë respektuar afatet e shqyrtimit të ankimimeve, duke ulur ndjeshëm efektin e penalizmit të subjekteve në përmirësimin e sigurisë ushqimore.

– Në mjaft raste komisioni ka marrë vendim për ri-inspektim ose verifikim ankese, gjë që është në kundërshtim me kodin e procedurave administrative, i cili përcakton lënie në fuqi, shfuqizimin/ revokimin dhe ndryshimin e aktit administrativ, duke pranuar pjesërisht ankimin.

– Megjithëse ka ndodhur që gjatë shqyrtimit është konstatuar mangësi nga ana e inspektorëve, duke vendosur shfuqizimin e aktit, drejtori i përgjithshëm nuk ka iniciuar marrjen e masave disiplinore për inspektorët përkatës.

– Duke filluar nga viti 2013, AKU ka prirje të ulë numrin e gjobave të vjela dhe vlerën e tyre, e lidhur kjo drejtpërdrejtë me veprimtarinë sektorit juridik, pasi në se nëpërmjet shërbimit përmbarimor në vitin 2013 janë vjelur 68 % e gjobave, në vitin 2016 janë tre herë më pak.

– Subjektet e ndëshkuara me gjobë për periudhën 2012-2016 kanë paguar vullnetarisht një përqindje shumë të vogël që është mesatarisht rreth 5 % e vlerës, me prirje të ulet ndjeshëm në 2.6 % në vitin 2016, për më tepër që në rajone si Tirana dhe Vlora nuk paguhet asnjë gjobë vullnetarisht.

– AKU, i ka bërë të njohur konsumatorit herë pas here rezultatet e veprimtarisë së tij mbi numrin e inspektimeve dhe të masave administrative në përgjithësi, pa cilësuar emrin e subjektit që vepron në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të shëndetit të popullatës.

8. Lidhur me çështjen se sa është mbështetur aktiviteti i AKU nga rrjeti i laboratorëve rajonal:

– AKU kryen analizat në laboratorë të paautorizuar akoma nga Ministri i Bujqësisë, i cili duhet të miratojë me urdhër listën e tyre, duke përcaktuar tipin e laboratorit dhe analizat, që janë të autorizuar të kryejnë.

– Konstatohet se ka prirje të rënies së numrit të mostrave të analizuara me 27 % (ose 4,873 mostra), në një kohë që rritet numri i operatorëve të biznesit ushqimor dhe përfshihen gjithnjë e më shumë ushqime të reja dhe tradicionale, si dhe përsoset industria përpunuese ushqimore.

– Ka rënie të treguesve analitikë për mostër nga 3.4 në vitin 2012 në 2.3 në vitin 2016, çka do të thotë se, ndërsa modernizohet gjithnjë më shumë prodhimi, përpunimi, shpërndarja dhe tregtimi i llojeve të ushqimeve, treguesit e analizuar për një mostër bien, duke ulur ndikimin e veprimtarisë analizuese laboratorike të AKU në monitorimin e sigurisë ushqimore në vend.

– Në vitin 2016 për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve janë kryer 6 % e analizave të vitit 2012, ose në shkallë vendi kryhen mesatarisht vetëm 2 analiza në 3 ditë, megjithëse është një nga sektorët më me risk për sigurinë ushqimore. E njëjta gjë vërehet dhe në analizat për mbrojtjen e bimëve, të cilat kanë rënie të konsiderueshme, duke i bërë produktet ushqimore me origjinë bimore të rrezikshëm për shëndetin e popullatës, për shkak dhe të mbetjeve pesticide që ato mund të kenë.

– Rezultatet e analizave tregojnë se përmirësimi i sigurisë ushqimore në vend është i kufizuar, pasi me treguesit e analizave jo konform me standardet, pra të ushqimeve të dëmshëm për shëndetin, ka luhatje të theksuar. Në vitin 2012 kanë rezultuar 3.8 % e mostrave me tregues jashtë standardit, zbresin në 1.8 % në vitin 2015 dhe ngrihen në 2.8 % në 2016.

– Në periudhën 2012-2016, kanë rezultuar jo konform standardeve mesatarisht 34.4 % e analizave të shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, aq më keq që ka një prirje në rritje të konsiderueshme mbi 5 herë.

– Pajisjet laboratorike janë të shpërndarë në 12 rajone, ndërkohë që personeli i tyre është vetëm në 7 prej tyre, duke sjellë që një sasi dhe vlerë e konsiderueshme të mos përdoren dhe gradualisht të humbasin cilësitë e funksionimit për shkak të kushteve të ruajtjes, të cilët përfaqësojnë 31 % të tyre, si dhe një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve janë të dëmtuara, të pavëna në punë dhe jashtë përdorimit, duke bërë që aktualisht të jetë në përdorim 54 % e vlerës gjithsej të aseteve laboratorike.

– Mungon gjurmueshmëria për produktet bimore dhe frutore të vendosura në treg, si dhe kryerja e analizave përkatëse, duke rrezikuar konsumimin e tyre me mbetje minerale dhe pesticide, pasi nuk janë objekt inspektimi gjatë fazës së prodhimit.

– OKB ka përcaktuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030, cilat janë të lidhura ngushtë me arritjen e sigurisë ushqimore e ushqimit të përmirësuar dhe promovimin e bujqësisë së qëndrueshme, si dhe sigurimin e konsumit të qëndrueshëm dhe modeleve të prodhimit (Objektivi 2 dhe 12), dhe pritet të udhëheqin veprimet e qeverive, agjencive ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera gjatë viteve të ardhshme (2017-2030). KLSH, me shkresën nr. 29/8 prot., datë 07/08/2017, ia ka bërë të njohura rezultatet e këtij auditimi Komisionit për Ekonominë dhe Financat, si dhe ka njoftuar Kryeministrin e vendit me shkresën nr. 29/9 prot., datë 07/08/2017 për konkluzionet dhe rekomandimet e dhëna për përmirësimin e shpejtë të situatës së sigurisë ushqimore në vend.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY