PËRGJIMET E PLOTA/ Grupi i drogës në Vlorë: Bëjmë 10 tonë vëlla,...

PËRGJIMET E PLOTA/ Grupi i drogës në Vlorë: Bëjmë 10 tonë vëlla, një ton për shtetin, 50 mijë euro për “të madhin”!

410
1
Shares

“Janë 10 tonë hashash, vëlla. Një ton ia japim shtetit dhe të tjerat i kemi për vete”.
Ndërsa thurte këtë plan në bordin e një automjeti “Audi” më 7 gusht 2015, Sokol Burhamaj, i akuzuar si organizatori i një grupi kriminal të kultivimit të hashashit në fshatrat e Vlorës, nuk e dinte se në makinë kishte një përgjues.
Ky përgjim dhe dhjetëra të tjerë u përdorën nga Prokuroria në gjykimin kundër tij dhe katër të bashkëpandehurve në Gjykatën për Krimet e Rënda.
“Panorama” ka siguruar dosjen e plotë gjyqësore ndaj personave të arrestuar nga operacioni “Fluturimi i lirë”, në gusht të vitit 2015, të akuzuar si pjesë e një grupi të angazhuar në kultivimin e hashashit e më pas trafikimin e tij me avion drejt Italisë. Në dosje zbardhen përgjime bisedash ambientale dhe telefonike, ku të pandehurit planifikojnë kultivimin e drogës, apo flasin për mbarëvajtjen e plantacioneve ekzistuese. Grupi u zbulua nga një hetimi i nisur nga autoritetet policore italiane për dy familje shqiptare në vendin fqinj që trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali.
Nga hetimet ka rezultuar se pjesëtarë të familjes Lamaj kishin në dispozicion një avion shumë të lehtë, model “Aeropakt  A 22 S”, i cili do të përdorej për transport marijuane Shqipëri – Itali. Pala italiane përdori metoda speciale të hetimit, duke vendosur sinjalizues GPS dhe përgjues tek avioni dhe te tri automjete “Audi” që përdoreshin nga të dyshuarit.
Më 24 gusht 2015, autoritetet italiane arrestuan shtetasit Vilson Lamaj dhe Italo Loreto, në një pistë të papërdorshme në komunën e Ostunit, teksa po zbrisnin nga avioni i lehtë 128 kg kanabis të trafikuar nga Shqipëria. Bashkë me të pandehurit u procedua për “shpërdorim detyre” edhe Vladimir Zanaj, punonjës i Policisë së Vlorës, i cili dyshohej se sinjalizonte të pandehurit për lëvizjet e Policisë. Çështja ndaj tij u veçua dhe aktet e dosjes i kaluan Gjykatës së Vlorës si gjykatë kompetente.

Përgjimet e kultivuesve
Nga përgjimet ambientale në automjetin “Audi A3”, me targë DL … HN, datë 10 korrik 2015, ora 06:32, rezulton bisedë Sokol Lamaj dhe Vilson Lamaj…

Vilsoni: Shumë i rraskapitur nga jeta Mejtimi. Djall o punë. I kanë thënë nipërit e tij, merri, i kanë thënë. Të hedhë të mbjellë njëqind rrënjë. Por shkon më shumë. Bënin gjithë punët e tyre, e kupton ti?
Sokoli: Po duhet të shkojë dhe t’u kërkojë atyre?
Vilsoni: Eh, çfarë ka bërë. I thanë do të të sjellim 1 000 fara. 1 000 rrënjë, i thanë. Do t’i themi atij policit atje, që njëri nga tanët ka 400 rrënjë, mos ia prit. Priti mirë në qoftë se i bën, 1 000 rrënjë, kultivoji, thaji 1 000 rrënjë atje, dhe më thuaj mua.
Na thuaj neve se ku është, do të vij, do të vijmë t’i themi policit, ja ku është, mos e prit. Nuk dua. Nuk duam para nga ti, paguhen vetë, që të bien farat, të bien që të gjitha, ti vazhdo punën. Jo dhe i angazhoi, i angazhuan fshatarët atje lart.

Rezulton se më datë 19.08.2015, punonjësit e Policisë së Qarkut Vlorë, aktualisht Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, kanë asgjësuar tri parcela me 387 bimë narkotike kanabis sativa në fshatin Ramicë, te përroi i Burhames.

“Një i madh në Tiranë mori 50 mijë euro”
Sipas transkriptimit të përgjimit ambiental të realizuar në automjet, biseda ndërmjet Fatos Bruhamjt dhe Sokol Burhamajt (LAMAJ), datë 10 korrik 2015, ora 20:23, rezulton se…

Fatosi: I kanë thënë për një person shumë të madh në Tiranë, më i madhi.
Sokoli: Eh, ka marrë 50.000 euro. I ka marrë njëri që ishte atje. .… ca persona të tretë që kishin dhjetë parcela, 1000 / 3.000 rrënjë i kishin vetëm atje….

Fara 65-ditore
Ndërkohë biseda vazhdon ku Fatosi e pyet nëse te parcelat është ndonjëri që punonte në to, ku Sokoli i përgjigjet duke i thënë se është babai i Iglit, Fadili. Lidhur me llojin e bimëve narkotike, i pandehuri Sokol Lamaj (Burhamaj) dhe Fatos Bruhamaj theksojnë se është më mirë që të mbillnin farën që rritej shpejt, 65-ditore, pasi edhe pse jepte rendiment më të vogël, ajo rritej shpejt dhe mund të “korrej” në një kohë të shkurtër, madje edhe dy herë në sezon dhe nuk do të qëndronin të stresuar nëse do t’ua zbulonte Policia.

Fatosi: Më mirë 100 gramë dhe i merr menjëherë, sesa të presësh shtatë muaj.
Sokoli: … sepse nuk merrem më me të madhen.
Fatosi: E përse?
Sokoli: Me të madhen. Nuk merrem më me të.
Fatosi: … është njëqind herë më mirë me të voglën, që e mbjell dy herë dhe mbaron punë shpejt, dhe nuk pret tetë muaj, me zemrën në dorë, se mos vijnë sot apo nesër.
Sokoli: Por unë dua të mbjell atë. Mocali, vetëm me atë mund të bëjmë ne. Mocali o vëlla, nga koka te këmbët. Do të mbjell atje 3/4 akra, do ta bëj linjën e ujit këtu (ujitjen) dhe duhet të vihet ajo e vogla, çuk e çuk, vetëm me atë mund të bësh ndonjë gjë. Të mos bësh gjë tjetër.
Fatosi: Në qershor mbjell farën dhe mbaron punë e pastaj ia fillon prapë.
Sokoli: … një, dy, tri herë deri në fund të tetorit … 65 ditë.

“Gonxhet do përkulen”
Në përgjimin ambiental të datës 12 korrik 2015, ndërmjet Sokol Lamaj dhe të pandehurit Igli Shahaj, i pandehuri Sokol Burhamaj (Lamaj) shprehet i shqetësuar lidhur me llojin e bimëve narkotike ku ata pohojnë dhe janë dakord me njëri-tjetrin se ishte më mirë që të mbillej fara që bëhej më shpejt në kohë (65-ditore) se sa ajo e madhja. Komunikimi ndërmjet Sokol Lamaj dhe një personi përdoruesi i numrit celular 06…501 (që gjatë shqyrtimit gjyqësor rezulton të jetë numri i të pandehurit Igli Shahaj) ndër të tjera rezulton…

Sokoli: Janë bërë ca dëme dhe kanë ndodhur disa telashe.
Igli: Mund ta shesim edhe në vend, meqenëse transporti andej kushton shumë, se ndoshta pesëdhjetë i bëjmë. 25.000 euro janë para. Në qoftë se rritet akoma çmimi, ajo të nderon, të zgjidh problemet.
Sokoli: I besova shokut, e mora me tre muaj, investova njëmijë euro. Qoftë kjo, qoftë tjetra dhe tani do dilet, në djall, nuk e di se ku do të përfundojmë. Në djall, po hë, se do të marrim 1.000 copë dhe e dimë se. …përse do të kemi probleme?”
Igli: Shpresoj që kjo të mbushet.
Sokoli: Kjo do të mbushet, gonxhet do të përkulen. Do të marrim edhe 1.000 fara të tjera.
Igli: T’i sjellësh shpejt…

Në bisedën e orës 10:12 mes Sokol Lamajt e Igli Shahajt bëhet biseda…

Sokoli: Unë shpresoj që të bëj 100 kilogramë e lart atje. Nga ajo e vogla. Ne do të dalim më përpara me atë.
Igli: Në qoftë se e madhja do të fillojë të lulëzojë, do të bëhet ngadalë-ngadalë. Kjo e madhja, kjo vërtet e madhja, kjo që kemi ne 55 ditë duhen që të bëhet gati. Për 35 ditë gonxhet janë gati. Do të vonojë edhe tri ditë e më pas kush e çan kokën. Bëhet fjalë për një muaj…”.

Pagesat për punën
Vëllezërit Lamaj interesohen për gjithçka që kishte të bënte me kultivimin e bimëve narkotike duke ju ndarë edhe detyrat përkatëse bashkëpunëtorëve të tjerë. Pasi sigurohen farërat përmes lidhjeve, ishte gjetur edhe vendi ku do të mbillej.
Duke qenë se ata kishin disa parcela ku kultivonin lëndën narkotike, Sokol Burhamaj(Lamaj), ndër detyrat që ju kishte ndarë të tjerëve ju kishte përcaktuar edhe parcelat për të cilat ishin përgjegjës Fatos Bruhamaj, Neko Bruhamaj, Igli dhe Fadil Shahaj. Sipas përgjimit ambiental të datës 15 korrik 2015…

Sokoli: Ato, në fakt, unë ia kam dërguar Fatosit.
Vilsoni: Fatosi, 2.500, për çfarë i mori?
Sokoli: I ka marrë Fatosi, ka marrë ca para Fatosi.
Vilsoni: E për çfarë? Për punën që ka bërë?
Sokoli: Eh.
Vilsoni: Se e ka ngjeshur, e ka bërë.
Sokoli: Eh, po Fatosi ka marrë 2.500 – 3.000 euro, o vëlla. Çfarë ia thashë unë. Do të vijnë paratë e para.
Vilsoni: Por a e dinin këta se sa duhej t’i jepje Fatosit për punën që bënte?
Sokoli: Ohi, por ç’hyn kjo. Nuk kam mbajtur mënjanë paratë e Fatosit nga ajo. Unë i kisha shkruar që të gjitha në fletore, nuk janë zbritur ato të Fatosit që andej.

“Një ton shtetit”
Në po të njëjtën datë, i pandehuri Sokol Burhamaj (Lamaj) dhe Fadil Shahaj në makinë flasin për terrenin se ku duhet të shkojnë e të mbjellin bimët narkotike, ku Sokoli i thotë Fadilit se ka shumë terren për të mbjellë bimët, se në atë tokë mund të rrinë edhe 1.000 bimë të tjera. Sipas përgjimit ambiental më 7 gusht 2015, i bërë ndërmjet Vilson Lamaj dhe të pandehurit Sokol Burhamaj Lamaj, rezulton…

Sokoli: Do të bëhen stallat me rresh me eternit. Vetë ne do të qëndrojmë atje, 5-6 persona me kallash do të bëjmë 10 mijë rrënjë. I vendos të thahen atje ku janë bletët. Unë them të bëjmë një ton. 10 mijë rrënjë bëjnë 10 ton hashash. Janë 10 ton hashash vëlla.
Vilsoni: Janë shumë punë or mik.
Sokoli: Një ton ia japim shtetit dhe të tjerat i kemi për vete.
Vilsoni: Këtij i duhen mbushur xhepat mirë në mënyrë që ky të thotë aaa po kam xhepat plot.
Sokoli: Po çfarë të të thotë tjetër shteti ty.
Vilsoni: Të themi 10-20 mijë rrënjë të vogla.
Sokoli: 20 mijë rrënjë të vogla dhe më pas kalojmë nga e madhja. 7-8 persona dhe çdo njëri ka punëtorin e vet në kopsht.

Parcelat personale
Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se të pandehurit kultivonin bimë narkotike në parcela të ndryshme ata duhet të koordinonin punën ndërmjet tyre dhe të përgjigjeshin tek organizuesi i këtij grupi, që është Sokol Burhamaj (Lamaj).
Por rezulton se të pandehurit kishin edhe parcela më vete përveç se ato të grupit, ku gjithnjë kjo lëndë më pas do ta “merrte”, i pandehuri Sokol. Sipas përgjimeve telefonike të realizuara.
Bruhamaj, dhe numrit 06…495 në përdorim nga i pandehuri Fatos Bruhamaj me datë 17 gusht 2015, në orën 15:14 rezulton…

Neko: Sa bëjnë ato farat po të dush t’i blesh kështu?
Fatos: Aty te 3 euro, 3 euro e pak kokrra. Pse?
Neko: Po pyes, … do blinim vetë 200, a 300. …
Fatos: Po ato të voglat kur do të jenë……
Neko: Ato kot që i lamë se tani bie shi, bëjnë më shumë gjethe sesa boce.
Fatos: Po atje lart janë shumë.
Neko: Janë nja 30.
Fatos: Gati janë dhe ato ë?…

Më datë 25 gusht 2015 ndërmjet të njëjtëve numra:

Neko: Urdhëro…
Fatos: Qysh duket ajo aty?
Neko: Qysh, qysh duket?
Fatos: Po është e mirë ë?
Neko: Po e vogël është ajo tani.

Kujdesi për bimët
Të pandehurit Igli Shahaj dhe Fadil Shahaj, kishin rolin e tyre në këtë veprimtari (edhe ata kishin parcelat e veta përveç se të përbashkëtat me Sokolin dhe lidhjet e tij). Ata marrin masa për kultivimin e bimëve narkotike, ku rezulton se ata kanë edhe bashkëpunëtorë të tjerë në këtë drejtim.
Në përgjimin e realizuar mes numrit 06…192 në përdorim nga i pandehuri Fadil Shahaj dhe numrit 06…501 në përdorim nga i pandehuri Igli Shahaj më 29 korrik 2015 rezulton…

Igli: Hë.
Fadil: Ore në brinja duhet 5 a 6 metro dhjetë metro ku është ajo pjesa tjetër.
Igli: Është brenda te të voglat.
Fadil: Ore unë them këtu në krahët ore këteja, këteja nga lartë.
Igli: Ku nga lartë ore se s’po të marr vesh.
Fadil: Te bahçe xhajit.
Igli: Te bahçe xhajit. E ore është ajo bashkuesja tjetër andej te të voglat atje lart.
Fadil: Ore nuk ka lidhje fare me atë atje ajo është tjetër, kjo unë them këtu.
Igli: Po ik o mere atë atje se del po ik.
Fadil: Të bëjë varavingo tashi unë, po atje pastaj me çfarë do ashtu.
Igli: E po gjeje s’ka bashkuese tjetër çfarë të them unë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

1 COMMENT

LEAVE A REPLY