Hoyt Yee: Përfshirja e opozitës në qeverisje?! – Ja kujt i takon...

Hoyt Yee: Përfshirja e opozitës në qeverisje?! – Ja kujt i takon vendimi!

82
0
Shares

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se pas zgjedhjeve në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara presin nga qeveria e re të vazhdojë punën me reformat. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee bëri thirrje në një intervistë për Zërin e Amerikës, për vazhdimin e bashkëpunimit mes shumicës dhe opozitës, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.
Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Yee foli edhe për perspektivën euro-atlantike të Ballkanit, rrezikun rus dhe premtoi se angazhimi amerikan në rajon do të vazhdojë.

Zoti Yee, ju luajtët një rol kyç për të zhbllokuar situatën politike në Shqipëri. Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet dhe periudhën pas tyre?
Faleminderit për intervistën dhe faleminderit për komplimentin. Më duhet të them që në fillim se në fakt ishin politikanët e Shqipërisë që zhbllokuan situatën politike që mund t’i kishte penguar zgjedhjet dhe përparimin, në rrugën transatlantike të Shqipërisë. Ishin gjithashtu përpjekjet e disa anëtarëve të Parlamentit Evropian, si Knut Fleckenstein dhe Dave McAllister, një numër ambasadash, përfshirë atë amerikane, që ndihmuan palët të arrinin një marrëveshje të kënaqshme që bëri të mundur zhvillimin e zgjedhjeve me pjesëmarrjen e të gjitha partive. Ne jemi shumë të kënaqur që populli shqiptar mori pjesë në zgjedhje që komuniteti ndërkombëtar i konsideroi në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare. Jemi të kënaqur të shohim shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, për të marrë pjesë në një proces demokratik të rëndësishëm. Sigurisht ne tani presim me padurim fazën e ardhshme, një qeveri të re që ne shpresojmë që të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur punën me reformat, veçanërisht reformën në drejtësi që do t’i jape mundësi vendit të shënojë edhe më shumë përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, drejt rritjes së mirëqenies dhe forcimit të ekonomisë dhe marrëdhënie më të forta me partnerët e Shqipërisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Si e shihni bashkëpunimin mes shumicës dhe opozitës tani pas zgjedhjeve, diçka që ishte parashikuar në marrëveshjen mes tyre. Çfarë shpresoni të shihni?
Së pari ne shpresojmë që të gjitha palët në Shqipëri të punojnë së bashku, qoftë partia në pushtet, ose opozita, për të mirën e qytetarëve, të bëjnë atë që ne mendojmë se duan qytetarët e Shqipërisë, që është përparimi për një ekonomi më të fortë, një ekonomi që të tërheqë investimet, qoftë nga brenda ashtu edhe nga kompani të huaja, qoftë nga Evropa ose Amerika. Palët duhet të punojnë fort për të krijuar mundësi për të rinjtë, si në arsim, në punësim, që të rinjtë të duan të qëndrojnë në vend, dhe jo të kenë tundimin që të ikin nga Shqipëria. Duam që palët të punojnë më shumë për të luftuar korrupsionin, të çrrënjosin korrupsionin mes zyrtarëve, të luftojnë më fort kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, të gjitha këto ne mendojmë se janë çështjet më shqetësuese për qytetarët e Shqipërisë. Ne synojmë të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë, me të gjitha palët që duan të punojnë me ne, që të ndihmojmë me disa nga objektivat që sapo përmenda. Ne duam të shohim përparim të mëtejshëm në të gjitha fushat në të cilat ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme, përfshirë reformën në drejtësi, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve.

A do të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara me ekspertë në reformën në drejtësi? Çfarë roli do të keni?
Ne kemi synim të vazhdojmë me mbështetjen që kemi dhënë, përmes ambasadës, përmes agjencive të ndryshme përfshirë USAID-in, për të dhënë ekspertizë teknike, për të këshilluar, për forcimin e institucioneve, për të ndihmuar me krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për shembull, për të ndihmuar me procesin e vetingut që ne shpresojmë të fillojë në vjeshtë. Ne synojmë të luajmë rolin që u kemi premtuar partnerëve tanë në qeveri dhe në partitë politike. Aty ku ata duan që ne t’i ndihmojmë, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë, jo vetëm me fjalë, por me veprime dhe ekspertizën tonë. Ajo që duam ne të shohim prej tyre, është punë intensive, qëllimet e tyre serioze dhe përpjekjet e sinqerta për të bërë detyrën e tyre si udhëheqës politikë, që do t’u tregojnë rrugën qytetarëve, të miratojnë dhe zbatojnë legjislacionin për reforma dhe që të japin prova që njerëzit në Bashkimin Evropian dhe më gjerë ta kuptojnë që Shqipëria është e angazhuar 100 për qind që të integrohet në institucionet euroatlantike.

Ju flisni për vullnetin e politikanëve për të bërë atë që kanë premtuar, si të kryejnë reforma dhe të përmirësojnë klimën politike në vend. Fakti është që Partia Socialiste fitoi mjaft vende në parlament sa të qeverisë vetë. Duke pasur parasysh klimën e ashpër politike që ka mbizotëruar në Shqipëri, a mendoni se përpjekjet më të mëdha për hapje dhe bashkëpunim duhet t’i bërë shumica dhe kryeministri Rama, veçanërisht tani që ai i ka më shumë mundësitë që të bëjë atë që do politikisht?
Nuk ka dyshim që udhëheqësi i shumicës në çdo vend ka përgjegjësi të veçanta, duke pasur mundësinë të miratojë lidhje dhe reforma. Por sigurisht në çdo demokraci, i takon si partisë ose koalicionit në pushtet që së bashku me opozitën të gjejnë zgjidhje, që të jenë të pëlqyera dhe të pranueshme nga shumica e qytetarëve, çka do të thotë se është e rëndësishme për shumicën të punojë me parti të tjera që nuk janë në shumicë ose në koalicionin e shumicës, që të gjejnë zgjidhje që të jenë të pranueshme për të gjithë, ose për një pjesë sa më të madhe të popullsisë që të jetë e mundur. Që mbështetja e publikut të jetë e fortë sa ç’duhet, në mënyrë që reformat jo vetëm të votohen por edhe të zbatohen me mbështetjen e plotë të qytetarëve, është e rëndësishme të opozita të luajë rolin e saj në çdo demokraci, që është të ushtrojë trysni ndaj shumicës për të gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme. Në vendin tim, si edhe në demokracitë evropiane është gjithmonë e rëndësishme që një qeveri e fortë të ketë një opozitë të fortë. Pa një opozitë të fortë, pa konkurrencë, në shumë raste nuk ka nxitje të mjaftueshme për të gjetur përgjigjet më të mira të mundshme. Prandaj edhe opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, nuk mundet thjesht të rrijë e mënjanuar dhe të lërë shumicën të bëjë gjithçka. Shumica duhet të zgjasë dorën dhe ne besojmë se është e rëndësishme që shumica të jetë përfshirëse, të gjejë mënyra për ta përfshirë opozitën të luajë rolin e saj tradicional, por është e rëndësishme gjithashtu që opozita të mos dalë gjithmonë vetëm me ankesa dhe kritika, por të dalë me ide alternative, opsione për ato që propozon pala në pushtet. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë. Në çdo demokraci është e rëndësishme që partia në pushtet dhe opozita të luajnë rolin e tyre, që është të ndihmojnë vendin të ecë përpara.

Në Shtetet e Bashkuara, ka pasur raste kur Presidenti (kreu i qeverisë) për të treguar hapje apo përfshirje, ka zgjedhur anëtarë qeverie nga opozita. A shihni ndonjë mundësi që kjo të ndodhë në Shqipëri dhe a mendoni se një gjë e tillë do të ndihmonte për të krijuar një klimë besimi dhe për të përfshirë opozitën në vendimmarrje?
I takon kryeministrit dhe qeverisë ta marrin vendim se cilët individë do të përfshihen në qeveri, në të gjitha nivelet. Por sigurisht ne shpresojmë që të ketë një qëndrim përfshirës, që qeveria të bëjë përpjekje të punojë me opozitën dhe pale të tjera që nuk janë në partinë ose koalicionin në pushtet, në mënyrë që të gjejë një mënyrë për të arritur konsensus të mjaftueshëm në vendime të rëndësishme. A bëhet kjo me emërime apo përmes dialogut normal politik, me kompromise, me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ka shumë mënyra për të arritur konsensus. Ajo që është e rëndësishme është që shumica, ashtu edhe opozita ta shikojnë punën që e pret Shqipërinë në frymën e bashkëpunimit, në frymën e vendosjes së interesave të qytetarëve të vendit, mbi interesat politike, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet që do të ndihmojnë vendin, jo vetëm partitë politike. Pra ndërsa ne do të jemi të hapur të bashkëpunojmë cilado qoftë përmbajtja e qeverisë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 25 qershorit, ne duam të shohim që partitë politike të punojnë për zgjidhje konstruktive për të çuar përpara reformat. Ne besojmë se qëllimi i çdo lloj kompromisi, duhet të jetë realizimi i reformave, të shënohet përparim drejt synimit për t’u futur në Bashkimin Evropian, për integrimin e mëtejshëm evropian.

A mendoni se ka arsye për t’u shqetësuar nga dinamika e marrëdhënieve të tensionuara mes Kryeministrit dhe Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, për sa i takon marrëdhënies së ardhshme institucionale?
Në shumë demokraci është normale të ketë pikëpamje të ndryshme, edhe acarime dhe mosmarrëveshje mes udhëheqësve të partive të ndryshme, edhe nëse janë në të njëjtën qeveri, apo nëse po punojnë së bashku në struktura shtetërore, që u duhet të bashkëpunojnë në nivel institucional. Kjo është natyra e politikës. Ajo që presim ne është që udhëheqësit të bëjnë përpjekjet maksimale që të gjejnë zgjidhje, edhe nëse nisen nga pikëpamje të ndryshme. Mund të kenë qëndrime apo interesa të ndryshme politike, por e mira e Shqipërisë, interesat e popullit nuk duhet të jenë subjekt i debatit politik, apo grindjeve politike mes udhëheqësve apo partive. Ne presim që të ketë diskutime dhe debate të forta mes udhëheqësve të Shqipërisë, por në fund të fundit ajo që inkurajojmë ne, ajo që ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë të bëjnë, është gjetja e zgjidhjeve, përgjigjeve, gjetja e kompromiseve që të ulin korrupsionin dhe të rrisin interesin për Shqipërinë si destinacion për investime, që do të ulnin rrezikun e ekstremizmit dhe të godasin trafikimin e paligjshëm të narkotikëve dhe krimin e organizuar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY