Një i ri nga Tirana ka vjedhur llogarinë e facebook të një vajze.
I pandehuri J.Ç. është shpallur fajtor për akuzën e “ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike” në dëm të një vajze. Ai nuk do të shkojë asnjë ditë në qeli, pavarësisht se u dënua me 4 muaj burg, pasi përfundimisht Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe detyrimin e tij për të punuar 100 orë punë të papaguar në interes të publikut.
Sipas gjykatës, në maj të vitit 2015, i pandehuri ka ndërhyrë në llogarinë e të dëmtuarës në “Facebook”, e hapur me emrin e saj.
Pas ndërhyrjes, i pandehuri ka kryer veprime në këtë llogari, si postime fotosh dhe komunikime me persona të ndryshëm. Sipas Gjykatës, i pandehuri ka hapur dhe përdorur këtë llogari duke e ndryshuar emrin e saj.
Nga kjo llogari ai i ka shkruar më tej një tjetër vajze dhe ka postuar foto të saj. Ai ka komunikuar me të, duke u paraqitur i mbuluar me maskë dhe i ka kërkuar një shumë prej 50 mijë lekësh.
Në një nga këto komunikime ai i ka kërkuar të takoheshin dhe për këtë i ka dhënë edhe dy numra telefoni. Me një prej tyre ai e ka telefonuar më vonë. Në vijim i pandehuri J.Ç. nga llogaria e tij në “Facebook” i ka dërguar të dëmtuarës edhe një fotografi personale.
Pas kallëzimit të bërë, operatori përkatës telefonik ka konfirmuar për prokurorinë se numri i përkiste babait të të pandehurit.
Gjatë gjykimit i pandehuri ka pranuar se ishte ai personi i cili kishte komunikuar me vajzën dhe se ai që kishte ndërhyrë në llogarinë tjetër në “Facebook” dhe ka mbajtur qëndrim pendues për të gjitha veprimet e kryera prej tij.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/