AGRON GJEKMARKAJ/ Bisedat imagjinare të Ramës me Ismail Qemalin, Fishtën e Kutelin,...

AGRON GJEKMARKAJ/ Bisedat imagjinare të Ramës me Ismail Qemalin, Fishtën e Kutelin, ata i sugjeruan Ermonelën, Linditën e Olgertën

164
0
Shares

Duke kërkuar detajin, papritmas ndihesh si Luiza që ndjek lepurin dhe përfundon në botën e çudirave. Të më ndjejë profesori im Aurel Plasari për këtë “rrëmbim” titulli, domethënë për atë të librit “Kuteli midis të gjallëve dhe të vdekurve” shkruar prej tij me spikamë eksperimentuese nja 22 vite më parë. Pikërisht Kuteli u bë përsëri sebepi, i cili me gjasë, sipas ritualit të profecisë, paskësh dhënë e marrë me Kryeministrin aktual në muzgjet e përflakura verore ndë kodrat e vendlindjes së shkrimtarit.
Nuk do të guxonte askush të shkonte kaq larg në shfrime fantazie, nëse nuk do të dëgjonim të parin e qeverisë t’i drejtohej njerëzisë nga Pogradeci “Pyesni Mitrushin dhe Lasgushin për kë të votoni e dëgjoni se çfarë do t’ju thonë?”. Kjo ftesë si trokitje në një sferë të epërme, aty ku s’guxon askush të afrohet, bash në territorin e përtejmë, ku frika ta ndalon të menduarit e vesh Edi Ramën me pështjellak mistik. E pajis atë me leje të posaçme. E shndërron në ndërmjetës. E përcakton si të përzgjedhur, si një interlokutor me certifikatë hyjnore midis të gjallëve e të vdekurve.
Kështu me radhë të ngjan se Rama ka biseduar me të vdekurit e mëdhenj të kombit tonë dhe ka marrë prej tyre garanci se nëse pyeten nga elektorati jo vetëm që do të flasin që ç’ke me të, duke hedhur tutje si në balada rrasën e varrit, por si dikur motit do t’i cysin të ecin në hullinë e Rilindjes aq sa ndonjë pizevengu që nuk bindet mund t’i këpusin edhe ndonjë shpullë.
Fantazia jonë si gjind të zakonshëm rrëshqet në mugëtirë prej paqartësive humane e nomatiset me pak o gjë racionale që njeh, po mbase, Ai, jo vetëm ka biseduar me ta, por mund të ketë rrëkëllyer me ta edhe ndonjë gotë, apo ka luajtur një dorë letra për shtatë pale qejfe nën shikimin e ëmbël dhe të patravajë të Damjan Gjiknurit, apostull i cili një ditë do ta rrëfejë kur të nomatisë kujtimet e veta!?
Në Vlorë aty ku u ngjiz shteti në rrëzë të monumentit të Pavarësisë, ku plaku Ismail bej Vlora zë pjesën më të madhe të atij masivi prej bronzi Kryeministri lëshoi kumtin… “hë pyeteni pyeteni se çfarë do t’ju thotë Ismail Qemali, për kë të votoni”! Vlonjatët të zënë në befasi e paksa fajtorë që nuk u kishte shkuar në mëndje kjo provani apo herezi në këto 27 vjet që kanë sajuar çmos, grupe-grupe shkuan natën te varri i Atit gjithë kureshti e siklet. Mbajtën vesh dhe sytë i bënë çakërr.
Një si legjendë po hedh rrënjë. Ca thonë, paçka se i thamë na ka dërguar Edi, Kryeveziri ynë, Plaku nuk e prishi terezinë dhe s’u ndie fare, rrinte si i vdekur. Të tjerë betohen t’u ketë thënë se kur në 1912 ngriti flamurin, duke pohuar se do të bënet Shqipëria, Ramën ka pasur parasysh dhe deri diku Ermonela Felajn, Lindita Nikollën, Ogerta Manastirliun dhe Briseida Shehajn. Disa bëjnë be e rrufe se u ka vikatur me të madhe në timpan të veshit vullnetin e vet për Republikën e re, e cila ka qenë vizioni i tij qysh asokohe kur e tradhtoi Esat Pasha, ndaj votoni pa jua bërë syri tërrt, kryekalorësin dhe shqyptarët e saj stoikë u paskësh lënë amanet.
Kështu Rama duhet t’i kopsisë më mirë bisedat ose t’u marrë deklaratë me shkrim se shqiptarët janë edhe ata ndonëse të vdekur, ku i dihet e dredhin, të punojnë qindin. Dje Kryeministri ishte në Shkodër, kur të gjithë prisnin që i autorizuar nga Fishta, Mjeda dhe At Zef Pllumi t’i drejtonte qytetarët kah varrezat për të bërë pyetjen “kë të votojmë?”. Largimi i Jozefinës, për të cilën nuk i kurseu disa konsiderata ia ka prishur skemën e komunikimit me të vdekurit. Ku i dihet në Shkodër të ketë shpresuar se ka më sukses, duke folur për të gjallët që Basha i do “të vdekur”, apo teksa ka parë Topallin për të fundit herë në sallën e Kuvendit me hijen e fisme që i jep zemërimi të ketë menduar këtë e ka zëvendësuar Grida dhe një si maraz i ka ngërçosur gjuhën? Pikëllimi e godet edhe Kryeministrin, ia thinj ende më tej mjekrën.
Këto ditë fushate që kanë mbetur, kushedi sa të vdekur do të ngrejë nga varri, apo vetë me kandil si Dante me Virgjilin ky me Musa Ulqinin do të zbresë atyre honeve? Pret Rrapo Hekali e Zenel Gjoleka, Kapedani i Mirditës dhe Zonja Curre…! Por jashtë këtij imponimi të historisë nuk mund të mbetet Skënderbeu, i cili nëse deri ditën e mitingut rrezet përvëluese të sheshit në formë saçi a lëvore kungulli nuk ia shkrijnë kalin e bronzit dhe vetë heroi të shkojë në garazh për t’u freskuar dhe mbrojtur nga përvëlimi apo për të lëpirë një dundurma ase akullore. S’e ka menduar kurrë i ngrati regjur betejash se atë që nuk ia bënë dy sulltanë ia bën, Erjon Veliaj, belediye reis i Tiranës.
Po pse të gjallët janë skeptikë dhe kanë nevojë për dorëzanë për t’i besuar Kryeministrit, i cili edhe vete e ka kuptuar këtë ndërdyzje përtej hallakatjeve të tij gazmore? Rama e di si ka qeverisur dhe çfarë rezultatesh ka. E di që të gjallët nuk të besojnë po t’u thuash tanimë edhe të vërteten dhe jo më gënjeshtra. Në këto kushte ai po bën fushatën më të mirë të mundshme, duke tërhequr edhe kundërshtarin në këtë kllapi, prej se cilës opozita e ka jetike të dalë dhe të largohet me shpejtësi, ashtu siç mund t’i ikësh një vorbulle në det. Nëse opozita do vërtet t’i ikë asaj. Duke mos folur për asgjë e për gjithçka, midis të gjallëve e të vdekurve, duke sjellë në skenë heshtjen e të parëve dhe degdisur tek ata hallet e të dytëve, Edi Rama mëton të mbetet Kryeministër. Në ia daltë, ai vërtet ka komunikuar me të vdekurit dhe ka marrë besimin e tyre.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY