Vendim Demaj – Rikthime e lartësime të tij

Vendim Demaj – Rikthime e lartësime të tij

656
0
Shares
Vendim Demaj

Nga Ramiz Lushaj

Ramiz Lushaj

1.  Sigurisht, Vendim Demaj është njeri i vendimeve, sikurse e ka emrin, rrugëtimet, karrierën e tij. E, një prej këtyre vendimeve është rikthimi i tij në Atdhe më 2006, prej nga Londra – metropoli i moçëm i botës për në Tiranë – te metropoli i ri panshqiptar. Atje i operoi suksesshëm dorë e kamb’ të majtë me plagë plumbash nga Lufta e Kosovës; kreu rezultativ në dy vite Kolegjin Lewisham London, i fitoi meritueshëm dokumentet e qëndrimit në Angli, fliste mirë gjuhën planetare angleze…Atje i kishte të gjitha, përveç Atdheut të tij, Shqipërisë. Ndaj ri-erdhi shqiptarisht, ndonëse askush nuk i kishte premtue shtëpi, punë, poste. Asnjë nga këto. Të gjitha do t’i fitonte vet. Do të integrohej aktiv e cilësisht në jetën shoqërore, universitare, zyrtare, politike. Gjithkund, me të gjitha.
Shumçka do e niste nga A-ja për të shkue drejt Zh-së.
Ia nisi në fill vit 2007 specialist në drejtorinë e shërbimeve në Bashkinë e Kamzës, kaloi përgjegjës për mbi një vit në gjendjen civile, drejtor në mbi një vit i Ndërmarrjes të Ujësjellës-Kanalizime të Kamzës e, prej 1 korrikut 2011, në shtatë vite kalendarike, është nënkryetar i Bashkisë të Kamzës. Dëshmohet se vendi i punës e ka gjetur njeriun e vet. Dëshmohet se posti zyrtar e ka zyrtarin e vet model. Vendim Demaj është i vendosur, i përkushtuar, i sinqertë, korrekt, autoritar, miqësor…Vendimi i ka të vetat tipike, i ka vendimtare, katër fjalët që janë në themeli të ecurisë e lartësimit të botës: “Po, Jo” dhe “Faleminderit, Më fal”. Ai është një malësor modern, një shqiptar tipik. Përndryshe, siç më thotë senatori demokrat Bahri Haki Hoxha i Kukësit e i Durrësit: “Shkruaje një portret për Vendim Demaj se njerëz si ky ta nderojnë penën”.
Sapo erdhi nga Londra iu bashkua strukturave të Partisë Demokratike të Kamzës, e pesta bashki në Shqipëri për nga numri i ndërtesave, e gjashta për nga popullsia e saj, një ndër kontribuueset kryesore të urbanizimit të Shqipërisë. Ia nisi si anëtar i thjeshtë i PD-së. Në katër palë zgjedhjesh ishte anëtar i KZAZ (Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve) në Kamëz, në të cilat është certifikuar fitorja e PD-së, pasi Kamza është një nga bashkitë ma blú e ma piedestalore të PD në Shqipëri. Vendim Demaj prej katër vitesh është në strukturat e larta vendimmarrëse të PD-së në Kamëz, i zgjedhur nënkryetar i saj. Ai, më thotë, se Bashkia Kamëz ka mbi 90 mijë votues, nga të cilët 60 mijë në Kamëz e mbi 30 mijë në Paskuqan. Janë peshë e madhe elektorale, veçmas për PD që është për të disatën herë fituese e Zgjedhjeve në Kamëz. Në Elektoriadën e 2013-tës për në Kuvendin e Shqipërisë pati një rritje me 8.000 vota në Kamëz, ky ishte një rekord i demokratëve në shkallë vendi, në hartën elektorale blu të Shqipërisë.
Tani, Vendim Demaj, shënon një lartësi tjetër të re në karierën e tij politike: në Elektoriadën e  25 Qershorit 2017, është kandidat për deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.  Ai garon në Bashkinë e Kamzës, në listën emërore të kandidatëve për deputetë të PD-së të kryesuar nga i veçanti Flamur Lufti Hoxha, ku janë dhe dy kandidatë të tjerë: Ahmet Prençi e Korab Lita. Të katër kandidatë meritor të Kamzës e Tiranës dhe të Shqipërisë, njerëz elitar, secili ma i mirë se tjetri, të gjithë sëbashku emra që e nderojnë dhe simbolizojnë ekipin e ri fitues “Basha” dhe “Republikën e Re”.
2. E thashë që Vendim Demaj është njeri i vendimeve. E, kjo, ka ndodh edhe pá hyrë në karrierën e detyrave shtetërore vendimmarrëse. Pas diplomimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës (1997), kur ishte mësues i matematikë-fizikës në shkollën e Buçajt të Shipshanit (Tropojë), në të dytin vit kalendarik të punës, në mars 1998, mori vendim dhe e la detyrën e mësuesit, pasi iu bashkëngjit aktivisht UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) në veprimtari logjistike, në luftën guerilase e frontale për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës. Ai u njoh nga afër e bashkëpunoi shumë ngushtë me eprorë të lartë të UÇK-së me zonë veprimi luftarak në Rrafshin e Dukagjinit: Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Sali Çekaj, Hisen Berisha, Nasim Haradinaj, Isa Agushi, Fadil Hadërgjonaj e të tjerë. Në shtëpinë e tij në Papaj të Shipshanit, në afri të kufinit me Kosovën, u ngrit’ Shtabi kryesor i UÇK-së, në atë truall me tradita të larta historike e me kushte të mira rrethanore, mjedisore.
Vendim Demaj, ky djalosh 42 vjeçar, tashma ka statusin ligjor: “Veteran i UÇK”. Ai ende e përjetësisht ka plagët e plumbave të Luftës së Kosovës në trupin e tij. Ma shumë plagë se legjendari Gjergj Elez Alia i Eposit të Kreshnikëve. Ai nuk ka dëshirë t’i flasësh shumë për plagët e, aq ma tepër, për numrin e madh të gjurmëve të tyre në shtatin e hapat e tij. Për çka më përngjan si një kreshnik modern, si një legjendë e gjallë.
Ai, herën e parë, u plagos (vet i treti), më 17 korrik ’98, tek Livadhi i Madh në malet e Jasiqit në Junik të Kosovës, teksa paraprinin drejt kufirit të Shqipërisë dhe ranë në pritë të serbëve militarë, në përpjekje luftarake me ta. Bashkëluftëtarët e UÇK-së i zbritën në Junik e pas një jave kujdesi mjekësor të atyshëm i kaluan prapë ilegalisht kufinin, qëndroi për një muaj në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Vendim Demaj u rikthye prapë në frontin e luftës.
Pas disa muajsh, në nëntor ’98, luftëtari i lirisë, njeriu i sakrificave, Vendim Demaj, plagoset për herë të dytë në male të Junikut. Pas një përkujdesi mjekësor prapë shkon në frontin e luftës derisa në pranverën e vitit 1999 detyrohet të largohet nga përkeqësimi shëndetësor prej plagëve të luftës. Në Tiranë nuk munden t’i kryenin një ndërhyrje kirurgjikale të tilla.  Shkoi në spitale të Gjermanisë, po as atje nuk i dhanë garanci plotore, përkundrazi i thanë se i duhej prerë dora e majtë, e plagosur me tre plumba. Edhe kamba e majtë i kishte plagët e pesë plumbave…Vetëm në Londër e kreu operacionin suksesshëm, i shpëtoi dora, doli shëndosh e mirë, atë ditë e sot, përgjithnjë.
Këto janë, si të thuash, edhe dy rikthime të tij në jetë.
E pveti për vitet e luftës për liri e pavarësi të Kosovës. Ai më rrëfen një rast të tillë emergjence e humanizmi njerëzor e luftarak: “Në verë 1998 ushtria serbe e militarizuar, e përforcuar edhe me paramilitarë e forca policore, e bllokoi kufinin Shqipëri-Kosovë. Në male të Gjerovicës, maja ma e lartë e Kosovës, mbetën mbi 5.000 gra, fëmijë, pleq, invalidë. U detyruam të siguronim lëvizjen e tyre për në Shqipëri, për në Tropojë, e cila ishte kthye atë vit në “kryeqytet i pritjes së shqiptarëve të Kosovës”. I tërhoqëm të gjithë përmes bjeshkës së Dobërdolit në kufi me Malin e Zi…” Ai më tregon raste të tilla, edhe nga ato ma heroiket në frontin e luftës, në rrugëtimin luftarak drejt Lirisë e Pavarësisë së Kosovës.
Vendim Demaj i ka plagët e luftës si ma të mirat dekorata të tij, që rrallëkush mund t’i ketë, përndryshe: si asnjë tjetër deputet në Kuvendin e  Shqipërisë.
3. Vendim Demaj, politikani i ri i PD-së e veterani i UÇK-së, është stërnip i Ahmet Sadri Demajt të Ballabanit në Papaj të Shipshanit, i këtij luftëtari të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që tregoi akte të larta trimërie në Luftën e Nokshiqit (1879-1880) në mbrojtje të Plavë-Gucisë. Kohërat shqiptare ende nuk ia kanë dhanë meritat e plota historike.
Përkundrazi, pasardhës të tij, si Mal Shaban Demaj, mixhoku i Vendimit, ndër mjekët e parë të Tropojës, pati një burgosje të kultivuar shumanshmërisht në burgun e Spaçit për ma shumë se një dekadë, derisa erdhi Demokracia.
Vendim Demaj ka një kujtim të dhimbshëm nga koha e vështirë e Komunizmit sllavo-enverian, që arriti deri atje si edhe brenda Shqipërisë të krijonte dy shtete: “Shtetin e Njerëzve me Biografi të Mirë” dhe “Shtetin e Njerëzve me Biografi të Keqe”, që kishin ndërveti një brez të ashpër e klon të kuq me gjemba ndërmjet tyne, shpesh edhe ma i keq se ai i kufinit. Kur iu varros babagjyshi Shaban Bajrami, i kullës së njohur e derës së madhe Demaj, kishte pak veta të ardhur për në përcjelljen mortore të tij, aq sa gishtat e dorës, pasi ata kishin marrë sforcueshëm “shenjë” klasore, ishin klasifikuar ma shumë se qëllimshëm “me biografi të keqe” për kohën e atëherit, që rigjallëron e gjeneron dukshëm sot nën okelio e sllogane politike-elektorale, dogmatike e mafioze: “Rilindje”, të paraqitur nga e majta në ikje prej pushtetit pas 25 qershorit 2017.
Teksa flas me Vendim Demaj në zyrën e tij të nënkryetarit të Bashkisë Kamëz me vizionohet lartësisht figura e Ahmet Sadrisë të Ballabanit (Papaj), stërgjyshit të tij, që së bashku me bajraktarin e Shipshanit,  Bek Din Bajrami (Kasaj) e Ali Ibër Nezaj (Buçaj), të tre përfaqësues të bajrakut e të fisit të Shipshanit; së bashku edhe me bajraktarin e Krasniqes, Man Avdi Mulosmanaj e Qerim Binak Alia i Krasniqes; edhe me bajraktarin e Gashit, Halil Brahim Bajraktari e Ali Hoxhën e Gashit; ishin përfaqësues të Malësisë së Gjakovës në takimin zyrtar, diplomatik e ushtarak, në Qafën e Çakorrit, me Teodor Milanin – përfaqësues i Principatës së Malit të Zi e i Krajl Nikollës së Parë. Në atë kuvendim zyrtar ndërshtetëror, të njoftun edhe nga protokolli i Fuqive të Mëdha të Kongresit të Berlinit, u kundërshtue dorëzimi paqësor i Plavë-Gucisë dhe u ri-deklarue mbrojtja luftarake e saj nga forcat ushtarake e vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në atë luftë edhe Ahmet Sadri Demaj ishte një nga kryeheronjtë e gjallë të saj.
Vendim Demaj nuk është vetëm i pushkës së UÇK-së për Liri e Pavarësi të Kosovës, një hero i gjallë i saj, por është edhe njeri i dijes, i shkolluar me dy universitete: për mësuesi në Shkodër e për juridik në Tiranë, bile edhe me gradën “mastër i shkencave juridike” në “E Drejta Civile”, ka krye edhe kolegj dyvjeçar në Londër, ka marrë pjesë në disa konferenca e veprimtari të tjera ndërkombëtare në dy anët e Atlantikut. Janë të tillë edhe si familje, të dhanun pas dijes: motra e tij është universitare në shkenca sociale e jeton në Amerikë, ndërsa i vllai është inxhinier e jeton në Kanada. E, siç e thamë, Vendim Demaj, nuk don të jetojnë as në Amerikë, as në Kanada e as në Mbretërinë e Bashkuar, veçse nga Alpet Shqiptare të vendlindjes, Shipshanin e Malësisë së Gjakovës, në qytetin e Kamzës, në metropolin panshqiptar- Tiranë. Ai ka shkue mbi dhjetë herë në “planetin” Amerikë e, në një nga këto rrugëtime, lexova shkronja-dritë tek gazeta online “Dielli” se kishte çue 70 copë “Abetare” tek Federata PanShqiptare “Vatra”, dhuratë nga Bashkia Kamëz për mërgimtarët e vegjël shqiptarë që të mësojnë gjuhën shqipe në shkollën “Alba Life” në Nju Jork. Vendim Demaj përdallon edhe për faktin se është një vatran i flaktë i “Vatrës’ në Shqipëri e në Kosovë. Vendim Demaj – si një politikan i djathtë pro-amerikan është një nga mbështetësit e flaktë të Trumpit para e pas zgjedhjes President i 45-të i Amerikës. Me sa duket do të ketë pasë ndikimn e tij edhe në shpalljen e Donald Trump “Qytetar Nderi” i Kamzës e kur një Bulevardi në Kamëz ia dhanë emrin e Tij.
Pra, geni i mirë i trollit e i gjakut nuk hup kurrë, pasi i vjen koha me dalë në dritë, me u ngjitë në skenë, me rishkrue histori të breznive të veta. Kështu, edhe Vendim Ibrahim Demaj, tashti është një kandidatët për deputet i metropolit në rritje të Tiranës, i qytetit e bashkisë të re të Kamzës, i PD që solli Demokracinë e 1990-tës e po ri-vjen në pushtet me fitoren e 2017-tës. E, për ma tepër e ma mirë e kemi nevojë të ditës për të pasë figura të reja si Vendim Demaj në politikën e sotme shqiptare.

Kamëz, 15 qershor 2017

Lulzim Basha – Vendim Demaj

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY