Dialog i vështirë Kosovë – Serbi, por në rrugën e duhur

Dialog i vështirë Kosovë – Serbi, por në rrugën e duhur

73
0
Shares

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka deklaruar se dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka arritur rezultate, por sipas tij, ende ka punë në drejtim të normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
Zbogar i bëri këto komente gjatë prezantimit të një raporti të monitorimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë i bërë nga Rrrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA nga Serbia dhe Interneës Kosova.
Samuel Zbogar tha se “nëse bëhet një krahasim i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i para dy vjetësh, por edhe i serbëve të Kosovës në inkuadrimin e tyre në institucione, shihet qartë se gjërat kanë ndryshuar shumë”.
“Nuk pretendoj se gjithçka është e përkryer dhe nuk po them se çdo gjë është duke shkuar mirë. Kemi dëgjuar për marrëveshjet, por është mirë të kthehemi pak pas dhe të rikujtojmë se si ka qenë situata në përgjithësi. Pra, unë mendoj se jemi duke shkuar në drejtimin e duhur. Nuk kemi thënë asnjëherë se normalizimi do të ndodhë me një hap të vetëm, ai është një proces. Mendoj se kërkohet një kujdes strategjik për të ardhmen”, u shpreh Zbogar.
Ai po ashtu tha se është e rëndësishme që të ketë një dialog të nivelit të duhur dhe marrëveshjet e arritura të implementohen.
Sipas tij, “është e nevojshme që edhe qytetarët të dijnë për marrëveshjet e arritura pasi që në të dyja anët, si të serbët dhe shqiptarët në Kosovë, ekziston një mosbesim për procesin dhe atë që thuhet nga liderët politik. Transparenca në ketë proces është një nga pikat e dobëta të kësaj çështjeje. Ne po e ndihmojmë tërë procesin dhe ne nuk jemi aty për të interpretuar marrëveshjet, por të dy palët [Kosova dhe Serbia] duhet të arrijnë marrëveshjet dhe të jenë më të angazhuara”, tha Zbogar, dhe shtoi se integrimi në Bashkimin Evropian është rruga më e mirë për t’i inkurajuar të dyja palët për një dialog më të zhvilluar.
Ministrja për Dialogun, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, tha se dialogu ndërmjet dy shteteve i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka dhënë rezultate në disa plane.
Në planin e parë, tha ajo, është normalizimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë.
Në planin e dytë, sipas saj, është kontributi që po jep dialogu në ndërtim të normalizimit të gjendjes në katër komunat veriore të Kosovës.
Kurse në planin e tretë, tha Tahiri, është plani i integrimit evropian në të cilin kanë bërë progres të dyja palët. Ministrja Tahiri përmendi edhe vështirësitë dhe sfidat e këtij procesi.
“Telekomi dhe energjia janë bërë histori. Ka katër vjet që negociohet për to. Marrëveshjet janë arritur në shtator të vitit 2013. Paramendoni, prej atëherë deri sot në telekom ka zero zbatim, ndërsa në energji ka një shkallë zbatimi. Ka mungesë të vullnetit për fqinjësi të mirë”, tha Tahiri.
Ndryshe, në raportin “Big Deal”, [Mbikëqyrja civile e zbatimit të marrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë], thuhet se “vetëm katër nga 16 marrëveshjet në mes të Beogradit dhe Prishtinës të arritura në Bruksel që prej vitit 2011, janë zbatuar tërësisht”.
Raporti fton të dyja palët dhe Bashkimin Evropian, t’i caktojnë prioritetet e të ashtuquajturit “proces të normalizimit”, pasi që shumica e marrëveshjeve të arritura në mes të palëve, nuk janë zbatuar tërësisht deri më tani, thuhet mes tjerash ne raport.
Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh më 19 prill 2013, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY