Vetëm 8 minuta mjaftuan për të fundosur mësuesin pedofil. Përballë nxënëses që e kishte përdhunuar disa herë, 62-vjeçari pranoi çfarë kishte bërë në 6 muajt e fundit brenda klasave të shkollës 9-vjeçare
Deri në atë moment, Demir Hoxha mohoi me këmbëngulje se policët e Lushnjës e akuzonin kot se bënte seks me të miturën, por ra brenda me këmbët e veta, në një dhomë të komisariatit.
Pasditen e së martës, mësuesi u shoqërua nga banesa e tij në Zharnec të Divjakës për në policinë e Lushnjës. Për disa orë ai u mor në pyetje, por pa pranuar kurrsesi se çfarë kishte ndodhur me nxënësen e mitur.
Derisa në dhomën me përgjues brenda, i shkujdesur i kërkoi llogari vajzës, vetëm 11 vjeçe e gjysmë, që e kishte çuar në polici.
“Pse i tregove prindërve çfarë ka ndodhur mes nesh?”, ka qenë pyetja që mësuesi i drejtori nxënëses së tij, A. K., të cilën e kishte “rritur” që nga klasa e parë e deri në të pestën.
“U tregova se kisha frikë se mos kam ngelur me barrë”, ishte përgjigjja e vajzës së mitur.
Në fakt, një pjesë e fjalëve të saj ishin të vërteta, pasi dyshimi kryesor që e çoi në rrëfimin e historisë 6-mujore që ndodhte në ambientet e shkollës, ka qenë pikërisht se nga marrëdhëniet seksuale e mitura mund të mbetej shtatzënë.
Por, duket se mësuesi maniak e kishte gati dhe zgjidhjen e këtij “problemi”, nëse e mitura, gjysmë shekulli më e vogël, do të mbeste shtatzënë.
“Pse nuk më the mua? Do të të çoja në Lushnjë, në ndonjë klinikë ta abortoje. Aty njoh shumë mjekë dhe ata nuk flasin”, ishin fjalët e fundit të Demir Hoxhës, para se brenda në qelinë ku ishin vënë mjetet përgjuese, të hynin forcat e policisë së komisariatit të Lushnjës, që i vunë me shpejtësi prangat.
Mësuesi, me një përvojë të gjatë mbi supe dhe që për pak kohë do të dilte në pension, do ta kalojë një pjesë të mirë të viteve në qeli. Provat e mbledhura për të janë të pakundërshtueshme, thonë burime të grupit hetimor.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/