Lidhur me ngjarjen e katërfishtë të premten e javës së kaluar në Thumanë, sipas burimeve nga prokuroria e Krujës, mësohet se Pëllumb Kora, ka qenë duke peshkuar në Adriatik me dy miq të tij. Kur është kthyer në Thumanë, ai ka shkuar në lokalin e shtetasit Sh .Gj., ku ka konsumuar alkool deri në orët e vona të mbrëmjes. Në lokal ka shkuar dhe 44-vjeçari Arben Çeku, i cili ka kërkuar të bisedojë me Pëllumbin. Mësohet se biseda ka degjeneruar në debate të ashpra e më pas në fyerje dhe sharje. Çeku dhe Kora kanë tentuar të goditen me grushte, por kanë ndërhyrë persona të tjerë që i kanë ndarë. Më pas Pëllumb Kora ka shkuar në banesën e tij.
Më pas, në lokal kanë shkuar Fran Çeku, nipi dhe bashkëshortja e tij, për të shmangur përplasjen me Korën. Por, pak minuta më pas kanë mbërritur aty Gurali Kora me tre djemtë e tij, të cilët vranë tre pjesëtarët e familjes Çeku. 56-vjeçari fillimisht mori përsipër autorësinë e vrasjes, ndërsa më pas deklaroi se autorët ishin dy djemtë e tij, Pëllumbi dhe Danieli.
Ndërkohë, një nga personat e prangosur për përkrahje të autorëve të vrasjes së trefishtë është Shpëtim Nikolla, 44-vjeç ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje, se mesnatën e 5 qershorit ka dëgjuar të trokitura në derë.
“Ata erdhën të katërt te shtëpia ime. I ranë derës e më thanë ‘jemi në besën tënde’. Me Pëllumbin kisha miqësi. Ata ishin bërë me gjak e më thanë se punët u kishin shkuar keq, pasi kishin vrarë familjen e Franit. Më kërkuan ndihmë. Për momentin u tremba. Më pas u lanë dhe u ndërruan dhe i kam dërguar me makinën time deri te shinat e trenit në Laç”,ka treguar Nikolla.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/